Një zyrtar shëndetësor në Finlandë shpreson që finlandezët të mos udhëtojnë në Shën Petersburg për të parë ndeshjen çerekfinale të Evropianit të premten në qytetin rus.
Finlandezët kanë shikuar një numër të madh të rasteve me koronavirus që janë gjurmuar tek tifozët e futbollit që janë kthyer nga Rusia. Finlanda luajti dy nga ndeshjet e saj në fazën e grupeve në Shën Petersburg, por është eliminuar nga turneu.
Mjeku i Spitalit Universitar të Helsinkit, Markku Makijarvi thotë se pjesën tjetër të Evropianit, finlandezët duhet ta shikojnë nga shtëpitë e tyre.
“Shpresoj se tani është e qartë për të gjithë se pjesën tjetër të Evropianit duhet ta shikojnë nga Finlanda”, ka thënë Makijarvi.
AP raportin se më shumë se 200 raste të virusit janë raportuar në mesin e njerëzve që kanë mbërritur nga Rusia në ditët e fundit dhe gati 500 të tjera janë detyruar të karantinohen. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se këto raste ishin ose tifozë të futbollit ose njerëz që morën pjesë në festimet tradicionale të mesit të verës.
Të paktën 2.000 finlandezë vlerësohet të kenë udhëtuar në Shën Petersburt për ndeshjet e mëhershme.