Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

St. Petersburgu i shqetësuar me rritjen e numrit të infektimeve në prag të Evropianit

Mijëra tifozë do të zbresin në ish-kryeqytetin perandorak të Rusisë, St. Petersburg, për ekstravagancën më të madhe të Evropës në futboll, “Euro 2020”, edhe pse numri i rasteve me koronavirus po rritet në qytet. Qyteti i dytë i Rusisë është përzgjedhur të presë shtatë ndeshje - përfshirë një çerekfinale - në qershor dhe korrik, pasi turneu u shty për një vit për shkak të pandemisë me COVID-19. Organizatorët kanë thënë se do të merren masat e nevojshme për t’i mbrojtur lojtarët dhe spektatorët, por kritikët thonë se masat e paralajmëruara në këtë qytet, cili është zona më e nxehtë e Rusisë pas Moskës, tashmë ka kohë që janë harruar. I njohur për kanalet dhe pallatet e epokës cariste, St. Petersburgu hoqi shumicën e kufizimeve të virusit muaj më parë dhe turmat janë kthyer në rrugë për të shijuar mbrëmjet e gjata të verës pas muajve të një dimri ndëshkues.

“Kush ka nevojë për maska? Gjithsesi të gjithë e kanë pasur koronavirusin”, tha Sergei Petrov, një banor lokal 35-vjeçar që dilte nga metroja.

Ndërsa Evropa po rihapet me kujdes, St. Petersburgu ka regjistruar gjatë muajit të kaluar një mesatare prej 700 rastesh në ditë, por numri i infeksioneve ditore ka tejkaluar 800 gjatë dy javëve të fundit, sipas një vlerësimi të qeverisë.

Autoritetet shëndetësore në qytetin e dytë të Rusisë kanë pranuar të mërkurën se rastet me koronavirus janë në rritje, gjë që, sipas tyre, është për t’u shqetësuar.

“Java e kaluar ka treguar se kemi regjistruar një rritje të infeksioneve me COVID-19”, tha guvernatori i qytetit Aleksandar Beglov. “Përkundër shqetësimeve që janë ngritur kohët e fundit, mund të garantoj se ekipi im po merr të gjitha masat e nevojshme”.

Edhe Shën Petersburgu pret 35 mijë tifozë Euro 2020 Shën Petersburgu pret 35 mijë tifozë

Janë krijuar dy spitale të përkohshme për pacientët me koronavirus. Epidemiologët vlerësojnë se më shumë se gjysma e pesë milionë banorëve të St. Petersburgut kanë antitrupa. Por ata thanë se është shqetësuese që qyteti ka hequr dorë nga kufizimet kaq shpejt, në veçanti kur dihet se do të luhen shtatë ndeshje të Kampionatit Evropian. Madje, ata paralajmëruan se gjatë “Euro 2020” numri i rasteve pritet të shtohet për shkak të pranisë së madhe të tifozëve në qytet.

“Qyteti po jeton sikur pandemia të ketë mbaruar”, tha Anton Barchuk, një epidemiolog në Universitetin Evropian në St. Petersburg (EUSP). “Ritmi i vaksinimeve lë shumë për të dëshiruar”.

Ndryshe nga Perëndimi, i cili ka vendosur kufizime të shumta antikoronavirus, Rusia ka mbështetur shpresat e saj në një program vaksinash. Moska regjistroi “Sputnik V”, vaksinën e parë në botë të koronavirusit, në gusht të vitit 2020, por presidenti Vladimir Putin ka luftuar që nga atëherë për t’i bindur rusët për të marrë vaksinën që ai e quan “më të mirën në botë”. Organizatorët e “Euro 2020” në Rusi thonë se tifozëve do t'u kërkohet të mbajnë maska ​​gjatë ndeshjeve dhe se tribunat e stadiumit të qytetit “Gazprom Arena” do të mbushen me kapacitet deri në 50 për qind.

“Ne jemi të sigurt se mund të sigurojmë të gjitha masat e sigurisë. Ne nuk kemi frikë”, insistoi kreu i komitetit organizativ të Evropianit, Alexei Sorokin.

Barchuk, epidemiolog, tha se masat do të ndihmonin në uljen e rreziqeve të ndotjes dhe se nuk kishte gjasa të kishte ndonjë ndikim global nga turneu i futbollit. Rusia ka qenë në mesin e vendeve më të goditura nga pandemia, që shpërtheu vitin e shkuar. Zyrtarët kanë raportuar më shumë se pesë milionë raste dhe mbi 124 mijë viktima, por ekspertë të pavarur dhe madje akuza të tjera zyrtare sugjerojnë që autoritetet kanë nënvlerësuar jashtëzakonisht shumë vdekjet nga koronavirusi.

Pronarët e hoteleve dhe restoranteve në St. Petersburg po presin me padurim ndeshjet e Evropianit, pasi pandemia shkatërroi industrinë e mikpritjes pas mbylljes së kufijve kombëtar vitin e kaluar.

Edhe Rriten rastet me koronavirus në shtetin e Finlandës Euro 2020 Rriten rastet me koronavirus në shtetin e Finlandës

Alexandra Samatuga, e cila jep me qira apartamente akomodimi për turistët, tha se biznesi nisi të ngrihej pas konfirmimit në muajin prill se në qytetin e St. Petersburgut do të mbaheshin ndeshjet e “Euro 2020”.

“Ne jemi plotësisht të rezervuar”, shtoi Samatuga. “Këta do të jenë të huajt e parë në gati një vit. Më në fund!”.

Vetëm rreth 2.5 milionë turistë e vizituan St. Petersburgun që nga fillimi i pandemisë, nga 10.4 milionë sa e kishin vizituar gjatë vitit 2019. Në fillim të këtij muaji, qyteti e priti panairin kryesor të vendit për investitorët, Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të St. Petersburgut, duke sinjalizuar se Rusia po shkonte përtej pandemisë. Vendësit insistojnë se qyteti ka nevojë për një festë të mirë dhe mirëpresin Kampionatin Evropian, pavarësisht rrezikut nga koronavirusi.

“Ju mund të shihni se njerëzve u mungon argëtimi, u mungojnë emocionet. Këto ndeshje do të na sjellin emocione dhe atmosferë në qytet”, pranoi Kirill Sanakin, një banor tjetër.

Ndërkohë, tifozi i futbollit Andrei Barsukov tha se asgjë nuk mund ta prishë festën e ndeshjeve të futbollit, të cilat po i pret me padurim.

Edhe Rusia do të lejojë tifozët e huaj në ndeshjet e “Euro 2020” Sport Rusia do të lejojë tifozët e huaj në ndeshjet e “Euro 2020”

“Ne e kemi pritur këtë për një kohë të gjatë dhe do ta shijojmë”, tha ai.

Ndeshja e parë e Evropianit që do të zhvillohet në St. Petersburg do të jetë ajo ndërmjet Belgjikës dhe Rusisë, që luhet të shtunën (12 qershor) dhe i takon grupit B.