Rusia do ta lejojë praninë e tifozëve të huaj që tashmë kanë blerë biletat për “Euro 2020”. Tifozët do të jenë të pranishëm në ndeshjet e këtij turneu, që zhvillohen në muajin e ardhshëm në qytetin e St. Petersburgut.
Gjithashtu tifozëve do t’u lejohet hyrja në Rusi pa vizë për t’i përcjellë duelet e Kampionatit Evropian, që nis më 11 qershor, ka njoftuar të enjten Komiteti organizativ lokal.
Rusia ka kufizuar hyrjen e të huajve në vend për shkak të pandemisë COVID-19, duke lejuar vetëm qytetarët e vendeve me të cilat ka rifilluar fluturimet ndërkombëtare të kalojnë kufijtë e saj.
“Në kushtet aktuale, që janë të vështira, lëvizja e njerëzve është zvogëluar dukshëm dhe ne u pritëm me mirëkuptim nga autoritetet federale pas kërkesës sonë. Falë kësaj ne jemi në gjendje të hapim kufirin për të gjithë ata që do të vijnë këtë verë për t’i shikuar ndeshjet e Kampionatit Evropian, që do të luhen në St. Petersburg”, tha Aleksei Sokorin, kreu i Komitetit organizativ lokal. “Do të ofrojmë dhe garantojmë siguri për të gjithë ata që tashmë i kanë blerë biletat e atyre ndeshjeve. Jam i bindur se do të jetë një festë e vërtetë futbolli pavarësisht situatës së vështirë me virusin”.
Po ashtu Sorokin tha se zyrtarët dhe pjesëmarrësit e turneut do të duhet akoma të respektojnë rregullat e sigurisë dhe të kenë me vete testin negativ për COVID-19.
“Të gjithë ata që futen në Rusi duhet t’i respektojnë masat tashmë të caktuara nga autoritetet tona. Atyre gjithashtu iu nevojitet edhe rezultati negativ i testit për koronavirus që ta kenë me vete. Ne duam që t’u përmbahemi rregullave dhe të mos lejojmë që virusi të përhapet në këtë ngjarje të madhe”, u shpreh Sorokin.
Edhe
Shën Petersburgu pret 35 mijë tifozë
Komiteti organizativ tha se procedurat e vizave për zyrtarët e huaj nga trupi evropian i futbollit, UEFA, vullnetarët, përfaqësuesit e mediave dhe pjesëmarrësit e tjerë të turneut, do të thjeshtësohen. Qyteti i St. Petersburgut, i cili tashmë ka konfirmuar se do të mbushë stadiumin e tij në 50 për qind të kapacitetit për Kampionatin Evropian, do të organizojë shtatë ndeshje, përfshirë edhe një çerekfinale.
Në fakt në St. Petersburg do të zhvillohen nga tri ndeshje të fazës së grupeve, të Grupit B dhe E. Ndeshja e parë që do të zhvillohet në këtë vend do të jetë ajo ndërmjet Belgjikës dhe Rusisë, që do të luhet më datën 12 qershor në kuadër të Grupit B.
“Euro 2020” po mbahet me një vit vonesë, për shkak të përhapjes së koronavirusit vitin e shkuar në mbarë Evropën.