Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rusia akuzon IOC-në për racizëm dhe neonazizëm

Rusia ka akuzuar të mërkurën Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për “racizëm dhe neonazizëm” për shkak të rregullave për neutralitet të IOC-së për olimpistët rusë dhe mundësinë e sanksioneve ndaj sportistëve që marrin pjesë në “Lojërat e Miqësisë” të organizuara nga Kremlini.

IOC-ja njoftoi të martën se sportistët rusë dhe bjellorusë, që duhet të garojnë me flamur neutral në Parisi 2024, nuk do të lejohen të paraqiten në paradën e ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike, më 26 qershor në kryeqendrën franceze. Është një mase e re si rezultat i sulmeve të Rusisë në Ukrainë që po zgjatin tash e dy vjet.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha: “Vendimet e IOC-së janë ilegale, të padrejta dhe të papranueshme. Jemi të tmerruar nga kushtet e paprecedentë dhe diskriminuese të IOC-së për sportistët rusë. Këto deklarata tregojnë se sa larg IOC-ja ka devijuar nga parimet olimpike dhe se është kthyer në racizëm dhe neonazizëm”, ka thënë Zakharova në një konferencë për shtyp.

Qeveria ruse po ashtu akuzoi IOC-në se po përpiqet të frikësojë sportistët që duan të marrin pjesë në Lojërat e Miqësisë.