Ylber Ramadani është një nga lojtarët kyç te klubi i tij, Aberdeeni skocez. Ramadani ftohet rregullisht te Shqipëria po ashtu.
Por rruga deri në nivelin serioz nuk ishte e lehtë për futbollistin ferizajas. Sfidë ishte edhe paraqitja në stërvitje.
“Unë gjithmonë kam dashur të jem futbollist, sepse e dua këtë lojë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por do të qëndroj gjithmonë në futboll. Rritja ishte e vështirë, sidomos pas luftës. Ishte shumë e vështirë për familjen time, nuk kishim shumë para, por filluam një biznes të vogël duke punuar shumë”, ka thënë Ramadani të enjten për faqen zyrtare të klubit elitar skocez. “Babai më tha: ‘Nuk do të shkosh të luash futboll, sepse duhet të punosh për të mbajtur familjen’. Kështu që më duhej të shkoja fshehurazi. Unë kurrë nuk i thashë atij se do të luaj. Pastaj, kur hyra në ekip i thashë: ‘Babi, unë jam duke luajtur futboll profesionist”.
Ramadani tregon se debutimin si senior e bëri ende pa i mbushur 16 vjet. Ai u lind në Starnberg të Gjermanisë, por u rrit në Kosovë. Karrierën si senior e nisi në Ferizaj, ndërsa luajti edhe për Prishtinën dhe Dritën. Në Shqipëri luajti për Partizanin prej ku edhe u transferua në Vejle të Danimarkës. Nga futbolli danez Ramadani u transferua në Hungari. Në vitin 2021 iu bashkua ekipit MTK Budapest, ndërsa në verën e vitit të kaluar u bë pjesë e Aberdeenit.
“Sa kujtoj, nuk i kisha mbushur ende 16 vjet dhe babai erdhi dhe më pa. Pas ndeshjes më tha: ‘Thjesht përqendrohu në futboll dhe mos prek më asgjë tjetër’. Ishte shumë e vështirë në Kosovë, shumë e vështirë për një lojtar nga Shqipëria të shkonte të luante në Aberdeen ose në Evropë, por unë u përpoqa të punoja shumë për të arritur këtë”, është shprehur 26-vjeçari.
Ramadani e di saktësisht se për çfarë lufton sa herë që del në fushë.
“Motivimi im gjatë gjithë kohës është për të ndihmuar familjen. Unë sakrifikoj gjithçka për familjen time, sepse të jesh këtu nuk është e lehtë. Më mungojnë prindërit, familja ime, por duhet të sakrifikosh gjithçka nëse dëshiron të arrish diçka. Kështu është jeta. Unë po e bëj këtë për ta dhe i jam mirënjohës Aberdeenit që më ndihmoi ta bëja këtë. Ëndrra ime është të fitoj trofe. Shpresoj ta bëj në Aberdeen, sepse ma ka dhënë mua këtë mundësi”.
Ramadani me Aberdeenin ka kontratë deri në maj të vitit 2025. Për Shqipërinë në 24 paraqitje ka shënuar një gol. Para se t’i bashkohej Shqipërisë, Ramadani luajti për të rinjtë e Kosovës.
“Kur nënshkrova këtu, i thashë familjes sime, babait tim, që liga është shumë e fortë. Më dha përkrahje. Edhe në klub gjeta mbështetje. Kjo është më e rëndësishmja, që të gjithë në ekip të mbështesin njëri-tjetrin”, ka thënë Ramadani.