Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ramadani i bashkohet Lecces në Serie A

Mesfushori defensiv i Shqipërisë, Ylber Ramadani, do ta vazhdojë karrierën në njërën prej top-pesë ligave më të forta të futbollit në Evropë. Në edicionin 2023/24, Ramadani do të luajë në Serie A me fanellën e skuadrës së Lecces. Lecce të enjten ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me skuadrën nga Skocia, Aberdeen, për transferimin e Ramadanit. Një njoftimin e klubit nuk janë bërë të ditura detajet e marrëveshjes, të cilat do të publikohen të premten pasi Ramadani t’i kalojë me sukses kontrollimet mjekësore dhe të prezantohet te Lecce. Ai të enjten ka zbarkuar në Itali për këto procedura dhe te Lecce shihet si përforcim i rëndësishëm për mesfushën në edicionin e ri.

“U.S. Lecce njofton se ka arritur marrëveshje me Aberdeen FC në lidhje me transferimin e futbollistit Ylber Ramadani. Futbollisti shqiptar të enjten do të jetë në Lecce për t’iu nënshtruar kontrollimeve mjekësore”, ka shkruar klubi italian në njoftim.

Mediumet italiane kanë njoftuar se Lecce do të paguajë 1.2 milionë euro për Ramadanin, ndërsa Aberdeeni krahas dëmshpërblimin ka ruajtur edhe 10 për qind të kartonit të tij. Në fakt, Aberdeeni kishte refuzuar ofertën e parë të Lecces pasi klubi italian kishte ofruar 1 milion euro për Ramadanin. Ai është kërkuar edhe nga klubi tjetër i Serie A, Verona, oferta e së cilës ishte më e mirë dhe Aberdeeni e kishte pranuar por Ramadani kishte refuzuar kalimin për shkak se më herët kishte arritur marrëveshje personale me Leccen. Ai me ekipin e ri do të firmosë kontratë trevjeçare me opsionin e rinovimit edhe për vitin e katërt, ndërsa do të ketë pagë vjetore prej 500 mijë eurosh. Ramadanit i mjaftoi vetëm një edicion tek Aberdeeni për të siguruar lëvizjen në Itali pas paraqitjeve të mira që i pati me fanellën e ekipit skocez, ku ishte ndër lojtarët më të dalluar. Ai verën e shkuar iu bashkua Aberdeenit nga MTK Budapesti i Hungarisë dhe në edicionin e tij të parë regjistroi 44 paraqitje në të gjitha garat, ku shënoi 1 gol dhe asistoi 3 herë. Ramadani gjatë karrierës ka luajtur edhe në Danimarkë te skuadra e divizionit të dytë, Velje, si dhe në Shqipëri te Partizani i Tiranës. Si futbollist, Ramadani është zhvilluar në Kosovë, ku edhe ka lindur. Karrierën e ka nisur te Ferizaj për të vazhduar te Prishtina e Drita, përpara se të zhvendoset në Shqipëri te Partizani në fillim të vitit 2016. Ai është reprezentues i rregullt i Shqipërisë për të cilën debutoi në mars të vitit 2018 dhe deri më tani ka 27 ndeshje të luajtura dhe 1 gol të realizuar. Lecce në edicionin 2021/22 është rikthyer në Serie A si kampion i Serie B, ndërsa edicionin e shkuar përfundoi në pozitën e 16-të në tabelë. Te kjo skuadër Ramadani do të jetë bashkëlojtar me mbrojtësin Kastriot Dermaku, i cili është pjesë e Shqipërisë.