Sport

Ngritja e vazhdueshme e dërgoi Ramadanin në Serie A

I zhvilluar te Ferizaj, Prishtina e Drita, mesfushori Ylber Ramadani të premten bëri hap të madh e të rëndësishëm në karrierë. Ai iu bashkua kampionatit italian, Serie A. Firmosi me Leccen dhe tashmë do të luajë në një prej top-kampionateve të futbollit evropian.

Në Serie A, Ramadani ka arritur në moshën kur arrihet kulmi në futboll, 27-vjeçare. Lecces i është bashkuar nga Aberdeeni skocez, ku u zhvillua goxha shumë. Më herët luajti për MTK Budapestin në Hungari (2021/2022), te Vejle në Danimarkë (2017 – 2021) dhe te Partizani i Tiranës. Pra zhvillimi i mesfushorit ishte gradual dhe i pandalshëm. Zhvillimi i Ramadanit mund të vazhdojë ende.

Por për një futbollist që nisi te Ferizaj, paraqitja në Serie A është sukses i madh.

“Ylber Ramadani është shembulli më i mirë se vetëm me punë mund të arrihet çdo gjë në jetë. FC Ferizaj, si shtëpia e tij e parë në rrugëtimin plot suksese, i uron Ylberit shumë shëndet”, ka shkruar Ferizaj të premten.

Ferizaj ka njoftuar se Ramadani si 16-vjeçar kishte debutuar në skuadrën seniore.

Krenar me Ramadanin janë shprehur edhe te klubi skocez, Aberdeen. Tek Aberdeeni, Ramadani ishte prej lojtarëve më të rëndësishëm. Ai fitoi zemrat e tifozëve me angazhimin maksimal. Në fakt angazhimi është prej armëve të forta të Ramadanit. Karrierën deri më tani e ka zhvilluar pa shumë bujë, por duke përparuar vazhdimisht.

“Ndonëse ishte vetëm një edicion, përkushtimi i Ylberit dhe dëshira për të bërë më të mirën për klubin është vërejtur nga të gjithë. Nuk kam dyshim që përvoja e tij tek Aberdeeni dhe në futbollin skocez e kanë bërë lojtar më të mirë dhe e kanë përgatitur për sfidat që e presin në futbollin italian”, ka thënë trajneri i Aberdeenit, Barry Robson.

Ramadani ka firmosur për trE vjet me Leccen. Me stërvitje ka nisur të premten.

Lecce pritet të luftojë për mbetje në Serie A. Edicionin e kaluar e përfundoi në vendin e 16-të. Kjo skuadër i ka 17 edicione në Serie A. Ka debutuar në elitën italiane në vitin 1985.

Ramadani tashmë është i rëndësishëm edhe te Shqipëria. Edhe te kuqezinjtë është stabilizuar mbi parimin e njëjtë – me shumë punë e pa zhurmë. Tashmë ka arritur në shifrën e 25 ndeshjeve me Shqipërinë. Ka luajtur edhe për të rinjtë e Shqipërisë e po ashtu të Kosovës.

Ramadani është tjetër lojtar që nisi karrierën në Kosovë e arrin në top-ligat evropiane.