Në dy ndeshjet e kaluara qëndroi vetëm në stol. Së fundi kishte luajtur më 27 prill, pak minuta ndaj Atalantas. Të dielën mbrëma e fitoi rastin në minutën e 45-të, pra fare në fund të pjesës së parë. E zëvendësoi një lojtar të lënduar, ndërsa me të nisur pjesa e dytë, në minutën e 46-të, bëri goditjen prej më të rëndësishmeve në karrierën e deritashme.
Ylber Ramadani shënoi supergol në një moment vendimtar për karrierën e tij, por edhe të Lecces. Falë golit të mahnitshëm të mesfushorit kosovar, Lecce fitoi 1:0 ndaj Torinos, në xhiron e parafundit të Serie A.
VIDEO:
Lecce po zhvillon luftë të ashpër për mbetje në elitën italiane. Goli i Ramadanit, përkatësisht fitorja ndaj Torinos, i mundësoi që të jetë në vendin e 17-të në tabelë me 31 pikë. Kjo pozitë siguron mbetjen në Serie A. 31 pikë i ka edhe Empoli në vendin e 18-të, ndërsa Venezia është e 19-a me 29 pikë. Monza tashmë është përshëndetur.
Se cilat skuadra do t’i bashkohen Monzas në rrugën drejt Serie B do të përcaktohet vetëm në xhiron e fundit. Por për Leccen fitorja e së dielës ishte me shumë peshë. Në xhiron e fundit luan në udhëtim ndaj Lazios. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për skuadrën e Ramadanit. Lazio po ashtu kërkon fitoren që të mbetet në zonën që dërgon në Evropë, përkatësisht që të shpresojë për kualifikim në Champions.

Për 29-vjeçarin Ramadani goli i bukur erdhi në fund të një edicioni shumë sfidues. Ai kishte telashe me formë dhe nuk ia doli të stabilizohej në formacionin startues të ekipit italian. Ka luajtur 28 ndeshje, ndërsa goli i së dielës ishte i pari që nga 16 dhjetori i vitit 2023. Nuk njihet si shënues i golave, por si punëtor i mesfushës. Këtë edicion e ka edhe një asistim. Për dallim nga edicioni i kaluar, që ishte i pari për të në kampionatin italian, Ramadani në këtë kampanjë nuk ishte prej lojtarëve kryesorë të Lecces.
Ramadani u shpall më i miri i ndeshjes, ndërsa trofeu deklaroi se ishte për tifozët e Lecces.
“Do të shkojmë në Romë që të fitojmë dhe të mbetemi në Serie A. Faleminderit të gjithëve për përkrahjen dhe të lëvizim para”, ka thënë mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë.
Ai ka pranuar se nuk ka pasur periudhën më të mirë së fundi.
“Trajneri më tha që të ofroja në fushë personalitetin që më nevojitej për këtë. Shënova gol, por tri pikët janë më të rëndësishme. Goli është për njerëzit e Lecces e më pas për familjen time. Kohët e fundit kam vuajtur shumë”, ka thënë Ramadani për “DAZN”.
Ramadani është parë shumë i emocionuar dhe i përlotur derisa ka festuar golin me tifozët pasionantë të Lecces.
Trajneri i Lecces, Marco Giampaolo, ka folur për Ramadanin në konferencë për shtyp.
“Me Ramadanin kemi raport të veçantë. Nuk e kam lënë gjithmonë të luajë. Ndonjëherë edhe kemi debatuar. Por gjithmonë me shumë besnikëri. Kur e sheh besnikërinë e ndërsjellë edhe në debate ka respekt”, ka thënë Giampaolo.
Ai ka treguar pse Ramadani nuk ka luajtur shumë. Ka thënë se gjithnjë kanë luajtur më të mirët dhe se për tri vende në mesfushë konkurrojnë shtatë lojtarë.
“E di që Ramadani e ka atë temperament. Gjithnjë e kam ditur. Nuk ka rëndësi numri i paraqitjeve, por cilësia me të cilën luan. Sot i kërkova Ramadanit të rriste nivelin e ekipit dhe ai ishte i mirë”, ka shtuar trajneri i Lecces.
Te kjo skuadër shpresojnë në një tjetër paraqitje pozitive në fundjavën e ardhshme në Romë, që të jenë në elitën e Italisë edhe për një edicion.
