Mesfushori i Shqipërisë, Ylber Ramadani, e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij në Serie A. Në ndeshjen e parë të kampionatit italian për këtë edicion, Ramadani ka ndihmuar Leccen ta mposhtë skuadrën e Lazios me rezultatin 2:1. Në duelin e luajtur të dielën mbrëma, Ramadani jo vetëm që ishte i pazëvendësueshëm te Lecce, por edhe ndër lojtarët më të vlerësuar në ekip.
Ai ka marrë lëvdata të shumta për paraqitjen e tij të parë te Lecce dhe për këtë është vlerësuar me notë të lartë.
27-vjeçari javë më parë iu bashkua Lecces nga Aberdeeni i Skocisë dhe me ekipin italian firmosi kontratë deri në vitin 2026, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Në një intervistë për mediumet skoceze të mërkurën, Ramadani ka pranuar se ka mbetur i kënaqur me paraqitjen kundër Lazios.
Ai ka zbuluar se nuk ka mundur ta refuzojë kalimin te Lecce, duke pasur parasysh se gjithmonë ka dashur të luajë në njërën prej top-ligave të Evropës. Kështu që, në momentin që Lecce i ka bërë ofertën, Ramadani nuk ka hezituar për ta pranuar. Ekipi italian ka paguar 1.2 milion euro për kartonin e Ramadanit. Mesfushori ka shtuar se nuk e kishte të lehtë të largohet nga Aberdeeni, ekip për të cilin luajti një rol të rëndësishëm edicionin e shkuar, por ka thënë se një mundësi e tillë për të luajtur në Serie A nuk ofrohet shpesh. Madje, transferimin te Lecce, ai ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm në karrierë.
“Është një hap i madh në karrierën time dhe më duhej patjetër ta bëja. Kur kam qenë fëmijë, gjithmonë kam ëndërruar të luaj në njërën prej ligave më të mira në botë. Serie A është liga e dytë më e mirë në botë për mua dhe me kalimin te Lecce, e kam realizuar ëndrrën time. Gjithmonë i kam thënë babait tim se do t’ia dal mbanë dhe ia dola, pasi ka 12 vjet që jam larg shtëpisë”, ka thënë Ramadani për “Aberdeenlive”.
Edhe
Kalimin te Lecce, Ramadani e cilëson si shpërblim për të kaluarën e tij
Për transferimin te Lecce, Ramadani ka falënderuar edhe drejtuesit e skuadrës së Aberdeenit, të cilët nuk e penguan ta realizojë ëndrrën.
“Kur erdhi mundësia, fola me krerët e klubit dhe iu tregova dëshirën time për të luajtur në Serie A. Më duhet t’i falënderoj ata por edhe skuadrën e Aberdeenit, pasi mëdha mundësinë për të treguar veten dhe me lejoi të transferohem në Itali”, ka shtuar Ramadani, i cili ka luajtur një ndeshje të plotë për Leccen edhe në Kupën e Italisë.
Ai ka thënë se arsyeja që iu bashkua Lecces ishte projekti i klubit, ndërsa ka thënë se synimi këtë edicion është që të ngjiten sa më lart në tabelë.
“Më pëlqeu projekti te Lecce. Klubi do të investojë dhe do të përmirësohet shumë. Ata duan të mbesin në ligë edhe edicionin e ardhshëm, por të përfundojnë në tabelë me lart se edicionin e shkuar”, u shpreh Ramadani, i cili foli edhe për Serie A. “Kampionatin e Italisë e njoh shumë mirë, pasi e kam shikuar çdo javë. Kështu që, nuk kam probleme të adaptohem me stilin e lojës që aplikohet këtu. Me padurim pres të luaj nëpër stadiumet tjera të stërmbushura me tifozë dhe të dëshmoj vlerat e mia. Po ashtu, kundër Lazios ne e patëm stadiumin e stërmbushur me tifozë, të cilët na përkrahën deri në fund. Për këtë ndeshje, të gjitha biletat ishin të shitura dhe jam i lumtur që startuam me fitore”.
Ramadani ka shtuar se shpreson të vazhdoj me paraqitje të mira edhe në ndeshjet tjera, ndërsa ka thënë se Aberdeenin do ta mbajë gjithmonë në zemër. Ai te Aberdeeni u transferua verën e shkuar dhe pas paraqitjeve të mira në edicionin e tij të parë e siguroi menjëherë transferimin në Itali. Ka luajtur edhe në Hungari te MTK Budapesti, pastaj Danimarkë te Vejle. Në Shqipëri, Ramadani ka qenë pjesë e Partizanit të Tiranës, ndërsa në Kosovë ka luajtur te Ferizaj, Prishtina e Drita. Edhe te Lecce kanë mbetur të kënaqur me paraqitjen e Ramadanit ndaj Lazios. Madje, drejtori sportiv i ekipit italian ka thënë se Ramadani veçse është dëshmuar si blerje e mirë te Lecce.
Edhe
Ramadani debuton te Lecce
“Para se të shisnim Hjulmandin, ne e kishim identifikuar një lojtar të profilit që mund të mbulonte atë rol në mënyrë përfekte. Ne e transferuam Ramadanin për këtë rol dhe ai po dëshmohet si zgjidhje shumë e mirë”, është shprehur Pantaleo Corvino.
Ramadani në vitin 2018 ka debutuar për Shqipërinë dhe deri më tani, ka 27 paraqitje dhe 1 gol të shënuar. Në xhiron e dytë në Serie A, Lecce do të luajë në udhëtim. Të dielën prej orës 18:30, do të përballet me skuadrën e Fiorentinës.