Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ramadani debuton te Lecce

Mesfushori Ylber Ramadani ka debutuar me fanellën e ekipit nga Serie A, Lecce.

Ai ishte titullar në ndeshjen miqësore në kuadër të turneut “Trofeo Ramon de Carranza” kundër Cadizit, të luajtur të hënën mbrëma.

Duelin e luajtur në Spanjë e fitoi Cadizi 3:1 me penallti pasi koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1:1. Ramadani u aktivizua deri në minutën e 31-të, ndërsa trajneri i Lecces, Roberto D’Aversa pati fjalë të mira për mesfushorin e Shqipërisë.

Ramadani të premten e shkuar iu bashkua Lecces nga Aberdeeni dhe po shihet si përforcim i rëndësishëm për edicionin e ri në Serie A. “Ramadani pati paraqitje të mirë dhe dukej sikur ka qenë me ne prej fillimit të përgatitjeve. Kam pasur njohuri për të, pasi e kam përcjellë dhe ai po tregon një entuziazëm të madh prejse është bashkuar me ekipin. Është një zëvendësim i mirë për Hjulmandin dhe do të përmirësohet edhe më shumë me kalimin e kohës”, ka thënë D’Aversa.

Lecce pagoi 1.2 milionë euro për Ramadanin, i cili me ekipin italian firmosi kontratë deri në vitin 2026, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.