Mesfushori defensiv, Ylber Ramadani, nuk ka hezituar të flasë për të kaluarën e tij dhe të familjes. Thotë se bashkë me familjen kanë vuajtur shumë. Dhe, kalimi te Lecce thotë se ka qenë shpërblim për vuajtjet dhe sakrificën e madhe të tij dhe të familjes. Ai ka pranuar se nuk ka hezituar aspak ta pranojë ofertën e ekipit nga Serie A.
“Mjaftoi vetëm një telefonatë. Kur menaxheri im foli me drejtorin, menjëherë kuptuam që Lecce ishte zgjidhja e duhur për mua. Vërtet nuk mendova shumë. Sigurisht që është një hap shumë i rëndësishëm për mua dhe për familjen time. Kemi vuajtur shumë në të kaluarën dhe sakrifica e madhe më është shpërblyer shumë. Është një kënaqësi e madhe”, ka thënë Ramadani të enjten në një intervistë për të përditshmen “Corriere dello Sport”. “Unë u vendosa shumë mirë që nga fillimi dhe dua të them se edhe familja ime u vendos po ashtu. Te Lecce, më mirëpritën në dhomat e zhveshjes, ka një atmosferë të këndshme me pjesën tjetër të shokëve të skuadrës dhe kjo më pëlqen shumë”.
Ramadani, 27-vjeçar, iu bashkua Lecces në gusht të vitit të kaluar nga Aberdeeni skocez. Ai më herët karrierë ka bërë edhe në Hungari te MTK Budapesti, Vejle në Danimarkë. Ka luajtur edhe për Partizanin e Tiranës dhe në Kosovë për Dritën, Prishtinën dhe Ferizajn. Me Leccen ka kontratë deri në vitin 2026, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Ramadani ka shënuar një gol në 17 ndeshje për Leccen. Golin e parë në Serie A e shënoi kundër Frosinones më 16 dhjetor të vitit të shkuar.
“Është e vërtetë që zura vendin e një lojtari si Morten në ekip, i cili ishte i preferuari i tifozëve vitin e kaluar, por është edhe falë mbështetjes së tyre kam pasur paraqitje të rëndësishme deri më tani. Afërsia e tyre më shtyu, ditë pas dite, të jap gjithçka dhe më shumë në fushë. Njerëzit në Lecce me mbështesin shumë, goli i shënuar ishte për gjithë shikuesit tanë. Në atë moment historik na mungonte fitorja dhe ndaj Frosinones ishte një ndeshje shumë e rëndësishme. Nuk e fsheh faktin se u emocionova pak, jo pak”, thotë ai.
Ramadani është bërë lider i mesfushës tek Lecce. Por ai tregohet modest dhe thotë se i gjithë grupi ka merita për rezultatet e edicionit aktual. Lecce aktualisht është në vendin e 13-të në Serie A me 20 pikë të tubuara pas 18-të ndeshjeve të luajtura.
“A jam unë një lider? Unë do të thosha jo sepse ka shumë prej tyre në grupin tonë. Është e qartë, megjithatë, ky rol kërkon personalitet të madh. Ndihem mirë, pozita në të cilën paraqitem më pëlqen shumë. Lidhur me këtë dua të sqaroj një gjë. Pikët që kemi fituar janë rezultat i përpjekjeve që grupi, me unitet dhe kompaktësi, ka mundur të bëjë deri në këtë moment”, është shprehur Ramadani.
Edhe
Ramadani i kënaqur me debutimin në Serie A
Ramadani rol të madh pati edhe në suksesin e Shqipërisë. Ai me Shqipërinë u kualifikuan në Evropian, që këtë vit mbahet në Gjermani. Ramadani ka një mision për të kryer te Lecce para se t’i bashkohet sërish Shqipërisë për fazën përgatitore për “Euro 2024”.
“Sezoni sigurisht ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, por ne e dimë mirë që ende nuk ka përfunduar. Duhet të vazhdojmë të mbledhim pikë sepse kemi një objektiv shumë të rëndësishëm për të arritur. Viti ka nisur, siç po thosha, në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ka një pozitivitet të madh. Kjo tashmë është një gjë e shkëlqyer. Në këtë moment synimi im i parë është ta ndimoj Leccen të mbijetoj në Serie A. Pas kësaj do të shohim se çfarë mund të bëjmë, por ne kemi një mision të qartë dhe unë jam i fokusuar në këtë. Në Lecce ndihem si në shtëpinë time”, ka thënë Ramadani.
27-vjeçari me Leccen ka kontratë deri në qershor të vitit 2026. Për Shqipërinë ka shënuar një gol në 32 paraqitje.