Kishte festë të dielën mbrëma për Amir Rrahmanin, Milot Rashicën e Arbnor Mujën. Të tre futbollistët nga Kosova festuan titullin e kampionit në vendet ku luajnë.
Titulli më i vlefshëm është ai i Rrahmanit, i fituar shumë javë më parë. Mbrojtësi i qendrës me Napolin u shpall kampion në Serie A. Rrahmani ishte i pazëvendësueshëm në qendër të mbrojtjes dhe njëri prej lojtarëve më stabil të Napolit.
Rashica me Galatasarayn fituan titullin në Turqi para një jave, ndërsa e festuan edhe të dielën mbrëma pas derbit me Fenerbahçen.
“Jam shumë i lumtur. Ne u bëmë kampionë. Derbin e fituam. Tifozët janë të lumtur, kështu që edhe unë jam i lumtur. Çdo gjë është shumë e bukur”, ka thënë Rashica.
Titulli më dramatik është ai i fituar nga Arbnor Muja me Antwerpin në Belgjikë. Titulli në Belgjikë u vendos me dy ndeshjet që u luajtën të dielën mbrëma. Para se të nisnin ndeshjet, Antwerpi ishte në vendin e parë. Pas pjesës së parë Genku ishte në vendin e parë. Në minutat e 46-të, 58-të dhe 75-të të ndeshjeve, në vendin e parë ishte Royal Union. Rrjedha e dy ndeshjeve ishte e tillë saqë në minutën e 89-të dhe të 93-të, në vendin e parë në tabelë ishte Genku. Por në minutën e 94-t, Antwerpi shënoi për barazim ndaj Genkut e ndërkohë Royale Union pësoi tre gola të vonshëm për të humbur 3:1 nga Club Brugge. Dhe këta gola bënë që në fund të ndeshjes Antwerpi të ishte i pari me 47 pikë, Genku i dyti me 46 pikë dhe Royale Union i treti me 46 pikë.
Ishte gara më dramatike e këtij edicioni, ndërsa Anwerpi fitoi titullin e parë shtetëror që nga viti 1957. Muja në verën e kaluar iu bashkua Antwerpit nga Drita e Gjilanit. Në shumë ndeshje ishte i rëndësishëm dhe startoi. Të dielën në ndeshjen vendimtare u aktivizua si zëvendësues.
Por Rrahmani, Rashica e Muja nuk janë të vetmit futbollistë shqiptarë që kanë fituar trofe në futbollin evropian apo botëror. Numri i shqiptarëve me trofe të fituar asnjëherë nuk ka qenë më i madh. Kjo, ndër të tjera, dëshmon për rritjen e vazhdueshme të futbollit shqiptar.
Pjesë e Antwerpit është edhe Laurit Krasniqi. Nuk ka luajtur asnjë ndeshje kampionale këtë edicion, por ishte në stol disa herë dhe natyrisht ka festuar titullin. Në stol ishte edhe të dielën mbrëma në ndeshjen përcaktuese. Për më tepër Antwerpi e ka fituar edhe Kupën e Belgjikës. Pra Muja e Krasniqi kanë fituar dy trofe këtë edicion. Në garën për Kupë, Krasniqi ka luajtur një ndeshje.
Në Zvicër, Kastriot Imeri e Donat Rrudhani kanë fituar titullin e kampionit dhe Kupën me skuadrën e Young Boysit. Imeri ka luajtur pak më shumë se Rrudhani, por asnjëri nuk ia dolën të stabilizohen në përbërjen bazë. Në finale të Kupës, të dielën, Imeri luajti si zëvendësues, ndërsa Rrudhani qëndroi në stol.
Në Austri, Dijon Kameri fitoi titullin e kampionit me Red Bull Salzburgun. 19-vjeçari qëndroi gjatë jashtë fushës për shkak të një lëndimi. I luajti 12 ndeshje në Bundesligën austriake, ndërsa e kishte një gol e dy asistime. Kupën e Austrisë e ka fituar Sturm Graz, pjesë e së cilës skuadër është sulmuesi Albian Ajeti. Ai ka luajtur 15 ndeshje kampionale dhe tri për kupë. Në finale mungoi për shkak të lëndimit.
Bundesligën e fituar nga Bayerni e festoi edhe Arijon Ibrahimoviq. 17-vjeçari nga Prizreni e luajti një ndeshje për Bayernin në Bundesligë, ndërsa në katër të tjera qëndroi në stol.
Në kampionatin e Kroacisë, dominimin e plotë e vazhdoi Dinamo Zagrebi. Deri në mars, kapiten i Dinamos ishte Arijan Ademi, që tashmë luan në Kinë. Mesfushori luftarak natyrisht ka merita që Dinamo fitoi tjetër titull të kampionit.
Skuadra tjetër e madhe kroate, Hajduku i Splitit, e fitoi Kupën. Emir Sahiti ishte lojtar i rëndësishëm i Hajdukut, ndërsa Elvis Letaj ishte rezervist në pjesën e dytë të kampionatit.
Valon Berisha fitoi titullin e stinorit të rregullt në Australi me Melbourne Cityn. Por kjo skuadër humbi finalen e madhe të kampionatit australian.
Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq fitoi titullin e kampionit në kategorinë e dytë të Anglisë me Burnleyn.
Kristjan Asllani me Interin ka fituar Superkupën dhe Kupën e Italisë. Dhe do të jetë në finale të Ligës së Kampionëve. Interi pas pesë ditësh përballet në Stamboll me Manchester Cityn. Trofeu i Championsit është bindshëm më i madhi në futbollin evropian.