Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, beson se Napoli mund ta fitojë titullin e kampionit në Serie A. Por mbrojtësi insiston se është ende herët për të menduar një gjë të tillë.
Rrahmani thotë se ka edhe shumë ndeshje deri në fund, pasi ka kaluar vetëm gjysma e edicionit dhe se Napoli po shkon ndeshje pas ndeshjeje. Napoli është shkëputur në krye të tabelës me 50 pikë të mbledhura, 12 më shumë se Milani që renditet i dyti, pas 19 xhirove të zhvilluara. Rrahmani shton se nëse Napoli vazhdon me paraqitje të mira siç ka bërë deri më tani, atëherë mund t’i fitojë edhe ndeshjet e mbetura për ta fituar titullin e kampionit për herë të parë që nga viti 1990.
“Diferenca prej 12 pikëve është një sinjal që po bëjmë mirë, por jemi vetëm në gjysmë të rrugës dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm. Në mendjen tonë ne ende nuk kemi bërë asgjë dhe në secilën ndeshje futemi për tri pikët. Synimi ynë është të shënojmë gola dhe të mos pranojmë”, ka thënë Rrahmani të enjten në një intervistë për “Radio Kiss Kiss”. “Kemi ardhur në gjysmë të rrugës për titullin, por kemi edhe shumë ndeshje para vetes. Rruga është e gjatë, por ne besojmë se nëse luajmë siç kemi luajtur deri më tani, mund t’i fitojmë edhe këto ndeshje”.
Krahas titullit të kampionit, Rrahmani pret që Napoli të shkojë larg edhe në Ligën e Kampionëve. Napoli është kualifikuar në 1/8 e finales së Championsit si lider i Grupit A, ku ka shënuar pesë fitore në gjashtë ndeshje të luajtura. Në fazën nokaut, Napoli do të përballet me skuadrën e Eintracht Frankfurtit. Mbrojtësi i qendrës beson se Napoli mund ta kalojë të paktën edhe këtë fazë.
“Besoj se punë të mirë kemi bërë këtë sezon edhe në Champions. Përfunduam të parët në grup që nuk ishte aspak i lehtë për shkak të kundërshtarëve të fortë. Tani të shpresojmë që ta kalojmë këtë fazë dhe të kualifikohemi në çerekfinale duke vendosur rekord të klubit”, shtoi Rrahmani.
Edhe
Rrahmani: Shtëpia ime tani është në Napoli
Rrahmani tregoi se lëndimi i tij ishte shumë më serioz sesa që ishte menduar fillimisht dhe se nuk e pati aspak të lehtë periudhën e rehabilitimit. Ai u rikthye në fushë këtë vit ndërsa rikuperimin nga lëndimi e konfirmoi me golin që e shënoi në fitoren e thellë të Napolit ndaj Juventusit me shifrat 5:1.
“Kisha një lëndim shumë të rëndë, por e tejkalova. Ka ekzistuar rreziku që mos të mund të kthehem i rikuperuar plotësisht, por gjithçka shkoi mirë. Duket se puna që e kam bërë me stafin e mjekëve të klubit ishte fantastike dhe jam shumë i lumtur që jam kthyer. E gjithë kjo u vërtetua me golin ndaj Juventusit që erdhi në momentin më të duhur”, është shprehur Rrahmani. Ai ka folur për partneritetin e fortë që ka krijuar në qendër të mbrojtjes me reprezentuesin e Koresë së Jugut, Kim Min-jae.
“Kur ekipi luan mirë në sulm, atëherë në mbrojtje e kemi punën me të lehtë. Kim është një mbrojtës shumë i fortë dhe po shkojmë shumë mirë së bashku. Ai vjen prej një futbolli tjetër dhe ne vazhdimisht flasim. Ai tani e di se çka kërkon trajneri dhe si të mbrohet. Pra, jemi një dyshe e fortë”.
Rrahmani nuk ka harruar pa e përmendur trajnerin Luciano Spalletti, i cili, sipas tij, është më i merituari për këtë ecuri të Napolit.
“Të gjitha meritat shkojnë për Spallettin. Ai ka një filozofi të lojës që po e përcjellim dhe sigurisht se duhet ta falënderojmë për këtë. Ai na thotë që të jemi të qetë dhe të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Edhe ai thotë se është ende herët të mendojmë për titullin, pasi jemi në gjysmë të rrugës”.
Ndeshjen e radhës Napoli e luan të dielën mbrëma në shtëpi kundër Romës.
Edhe
Rrahmani: Ndihem lider te Napoli
Rrahmani thotë se me përkrahjen e fuqishme të tifozëve dhe me paraqitje të mirë sikurse në triumfin ndaj Juventusit, atëherë edhe kjo ndeshje mund të fitohet.
28-vjeçari këtë sezon ka regjistruar 15 paraqitje në të gjitha garat për Napolin. Ai është pjesë e këtij ekipi prej vitit 2020 dhe është në negociata për ta rinovuar kontratën që i skadon në verën e vitit të ardhshëm.