Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ronaldo shkëlqen me “hat-trick” në fitoren e Al-Nassr

Ylli portugez, Cristiano Ronaldo ka shkëlqyer në fitoren e ekipit të tij, Al-Nassr. Ai ka shënuar “hat-trick” dhe ka asistuar një gol tjetër, në triumfin 5:0 në udhëtim te skuadra Al-Fateh.

Kjo ndeshje është luajtur të premten mbrëma dhe i ka takuar xhiros së tretë të kampionatit saudit. Për Ronaldon, këta janë golat e parë këtë edicion, në të cilin ka regjistruar dy paraqitje.

Serinë e golave për Al-Nassr, e hapi ish-sulmuesi i Liverpoolit, Sadio Mane. Mane shënoi në minutën e 27-të pas asistimit të Ronaldos. Epërsinë e dyfishoi Ronaldo në minutën e 38-të, me golin që e shënoi me kokë.

Ronaldo shënoi edhe në minutën e 55-të për 3:0, ndërsa në 4:0, epërsinë e ngriti Mane në minutën e 81-të. Rezultatin përfundimtar të ndeshjes, e vulosi Ronaldo që kompletoi “hat-trickun” në minutën e pestë të kohës shtesë.

Për Al-Nassr, kjo është fitorja e parë këtë edicion pas dy humbjeve rresht.