Cristiano Ronaldoi është shumë i lumtur te Manchester Unitedi dhe nuk e ka ndërmend të largohet, ka insistuar agjenti i tij, Jorge Mendes.
Mendes ka insistuar se klienti e tij dëshiron ta respektojë deri në fund kontratën që e ka me Unitedin.
36-vjeçari në fillim të këtij edicioni u rikthye te Unitedi nga skuadra e Juventusit dhe firmosi kontratë deri në vitin 2023 me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Ditë më parë, është raportuar se Ronaldo po dëshiron të largohet nga “Old Traffordi” dhe ishte raportuar se po synonte kalimin te Barcelona. Në fakt, thuhej se portugezi i ishte ofruar ekipit nga La Liga.
“Cristiano Ronaldo është shumë i lumtur te Manchester Unitedi. Ai do të vazhdojë të mbetet pjesë e këtij ekipi dhe do të mundohet të ketë paraqitje edhe më të mira për ta ndihmuar në arritjen e synimeve. Jam i bindur se ky do të jetë një edicion madhështor për të”, ka thënë Mendes.
Ylli portugez ka shënuar 14 gola dhe ka bërë tre asistime për Unitedin deri më tani. Ai ka 20 paraqitje me fanellën e ekipit anglez.