Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Roma kualifikohet në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës

Roma është kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës pas fitores 3:0 kundër Trabzonsporit në “Stadio Olimpico”.

“Giallorossët” fituan 2:1 në Turqi para një jave, teksa në duelin kthyes do t’u kryente punë edhe barazimi të enjten në mbrëmje për kalim në fazën tjetër.

Trajneri Jose Mourinho nuk bëri shumë rotacion në skuadër dhe filloi me Rui Patricion në portë, Nicolo Zaniolon në mesfushë dhe Tammy Abrahamin në sulm.

Bryan Cristante e shënoi golin e parë pas 20 minutash. Nicolo Zaniolo e dyfishoi rezultatin në minutën e 65-të, ndërsa Stephan El Shaaraëy e vulosi rezultatin final të takimit, 3:0. Zaniolo pas golit të shënuar shpërtheu në lot pasi ishte goli i tij i parë në një ndeshje zyrtare që prej korrikut të vitit të kaluar.