Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rikthim i fuqishëm i Zenelit, asiston për fitore

Reprezentuesi i Kosovës, Arbër Zeneli ka bërë rikthim të fuqishëm në fushën e blertë. Ai të dielën luajti për Reimsin që fitoi 2:1 në udhëtim ndaj Monacos në kuadër të Ligue 1 të Francës. Për Zenelin ishte ndeshja e parë që nga korriku i vitit të kaluar, ndërsa në Ligue 1 që nga maji i vitit të kaluar.

Ai ka munguar për shkak të një lëndimi. Sulmuesi i krahut, Zeneli, u aktivizua në minutën e 80-të kur skuadra e Reimsit po pësonte 1:0. Reimsi në minutën e 84-t barazoi shifrat në 1:1, ndërsa golin e fitores e shënoi në minutën e 93-të. Nathanael Mbuku shënoi pas asistimit të Zenelit.

Fitorja ishte e rëndësishme për Reimsin për të ikur nga zona e rrezikshme. Aktualisht mban pozitën e 14-të me 28 pikë nga 26 ndeshje. Reimsit ende po i mungon për shkak të një lëndimi Valon Berisha.