Sport

Rënia e Griezmannit hap derën për Nkunkun në Botëror

Antoine Griezmann

Rënia alarmante e formës së Antoine Griezmann do të thotë se vendi i tij i titullarit te Franca në Kampionatin Botëror “Katari 2022” është nën kërcënim nga Christopher Nkunku.

Nëse shterpësia e Griezmannit do të vazhdojë edhe në dy ndeshjet ndërkombëtare të shtatorit, atëherë përzgjedhësi Didier Deschamps mund të zgjedhë Nkunkun e Leipzigut kur Franca nis mbrojtjen e titullit në Katar dy muaj më vonë.

“Ata kanë dy profile të ndryshme. Christopheri është ndoshta më shumë një sulmues se Antoine, i cili është më shumë një krijues”, tha Deschamps së fundmi.

Edhe për nga forma atletike ata nuk janë të njëjtë dhe jo vetëm për nga madhësia dhe fiziku. 24-vjeçari Nkunku është një lojtar i shpejtë dhe i zoti që vepron si sulmues apo mesfushor sulmues. Ai u votua lojtari më i mirë i ligës gjermane nga kolegët e tij profesionistë sezonin e kaluar, pasi shënoi 35 gola në përgjithësi dhe bëri 14 asistime në ligë. Në kontrast të plotë, Griezmanni nuk ka shënuar për Francën apo Atletico Madrid që nga fillimi i janarit. Nkunku startoi përpara Griezmannit në një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Kroacisë, të hënën. Në ndeshjen e mëparshme në Austri, Nkunku u inkuadrua nga banka e rezervistëve dhe bëri një pasim për Kylian Mbappen, që shënoi golin e barazimit. Stili i lojës së Nkunkut i ofron Francës një qasje më të drejtpërdrejtë.

“Christopheri është i mirë edhe në ajër. Edhe pse nuk është aq i gjatë, ai kërcen mirë dhe mund të vrapojë në hapësirë”, tha Deschamps. “Antoine mund ta bëjë këtë gjithashtu, por ai është më i përfshirë në ndërtimin dhe organizimin e lojës”.

Për shumë vite, largimi i Griezmannit do të ishte i paimagjinueshëm për Deschampsin, i cili është shumë afër lojtarit dhe admiron qëndrimin e tij altruist. Griezmanni ka luajtur 108 herë, por paraqitjet e fundit nuk kanë qenë të mira dhe ai u largua pas 63 minutave në Austri.

“Ai e di se nuk është në formën e tij më të mirë. Kjo tregon në lojën e tij dhe ndikimin e tij në sulmin tonë”, pranoi Deschamps. “Nuk është periudha e tij më e mirë. Disa prej tyre janë fizike, disa janë mendore. Por nuk po them se ai është i lodhur”.

Diçka që nuk ndryshon kurrë me Griezmannin është se ai nuk ndalet kurrë së punuari shumë. Shoku i tij te Franca, Karim Benzema, tha se është e rëndësishme të “shikohen gjërat e tjera që ai bën, mënyra se si tërhiqet dhe mbrohet”.

“Ai do të shënojë në një fazë”, tha Benzema.

Griezmann është i treti në listën e shënuesve më të mirë të Francës, me 42 gola. Por, 31-vjeçari po ka telashe me shënimin e golit dhe dëshmia më e mirë është sezoni i shkuar, në të cilin ai realizoi vetëm tre gola në 26 ndeshje në ligë për Atleticon. Është shumë larg nga periudha e tij pjellore me Atleticon, kur shënoi 133 gola në 257 ndeshje përpara se t'i bashkohej Barcelonës në 2021. Ai ia doli mirë në paraqitjet atje, por rikthimi i tij prej 35 golave ​​në 102 ndeshje ra nën pritshmëritë dhe besimi i tij filloi të zbehet. Përpara të hënës në mbrëmje në “Stade de France”, Grizemann hyri në fushë vetëm në 15 minutat e fundit kundër Kroacisë. Franca humbi 1:0 dhe hoqi dorë nga titulli i Ligës së Kombeve. Franca, e fundit në grup, përballet me rënien në ligën e nivelit të dytë dhe i duhet të rikthehet në dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni, me Austrinë (22 shtator) dhe Danimarkën tre ditë më vonë. Këto ndeshje mund të ndikojnë gjithashtu nëse Griezmann është titullar apo zëvendësues kur Franca të fillojë mbrojtjen e titullit kundër Australisë në Katar më 22 nëntor. Megjithatë, vendi i tij në skuadër duket i sigurt.

“Unë e njoh aftësinë dhe forcën e tij mendore. Ai nuk është duke kaluar periudhën e tij më të mirë, por kjo nuk do të thotë se unë do të vë në dyshim atë që ai është i aftë të bëjë”, tha Deschamps.

Griezmann e filloi sezonin me Barcelonën përpara se t'i bashkohej Atleticos. Ai tha se mënyrat e ndryshme të përgatitjes së klubeve për sezonin kanë ndikuar në formën e tij edhe te Franca.

“Isha pak i lodhur fizikisht pas përpjekjeve që bëra, ashtu si me klubin tim. Përgatitjet parasezonale me Barcelonën ishte krejtësisht ndryshe nga mënyra se si luan Atletico”, pranoi Griezmann.

Ai parashikon se do të jetë “shumë më mirë fizikisht” për Botërorit, pasi do të përgatitet me Atleticon për sezonin e ri. Deschamps ka edhe gjëra të tjera në mendje, zgjedhjen e ekipit të tij. Franca dukej e varfër në Ligën e Kombeve, duke humbur në shtëpi ndaj Danimarkës e Kroacisë, me të cilin edhe barazoi.

“Ne duhet të vëmë në dyshim gjithçka. Na mungonte forca, karakteri dhe energjia”, tha Deschamps. “Shpresoj që të mund të kthejmë forcën tonë dhe lojtarët të rimarrin shpirtin e tyre luftarak për Botëror”.

Një formë kaq e dobët nuk i përshtatet Francës, e cila gjithashtu arriti në finalen e Kampionatit Evropian në vitin 2016.

“Ne do të duhet të tregojmë shumë më tepër nëse duam të ruajmë statusin tonë”, tha Deschamps.

Po ashtu, Francës për Botëror do t’i jenë gati edhe Paul Pogba, n’Golo Kante e Raphael Varane që ishin të lënduar.

“Ne kemi pasur shumë më tepër lëndime sesa jemi mësuar”, tha Deschamps.

Disa nga zgjedhjet taktike që ai bëri u vunë në dyshim, si kalimi nga mbrojtja me tre në katër lojtarë.

“Për shkak se ju keni një sistem, nuk do të thotë që ju duhet të qëndroni me të”, tha Deschamps, duke tingëlluar disi i hutuar se si duhet të luajë ekipi i tij.