Ka qenë një prej bashkëpunimeve më të gjata e më të suksesshme në nivel përfaqësuesesh, por mbështetja e Didier Deschampsit në Antoine Griezmannin mund të marrë fund, teksa Franca synon triumfin në Kampionatin Evropian.
Zëvendëskapiteni e humbi vendin për ndeshjen e fundit të fazës grupore kundër Polonisë dhe nuk ka garanci nëse ai do të jetë në 11-shen e parë kundër Belgjikës në Duesseldorf të hënën, për duelin e 1/8 së finales së Evropianit.
Kjo do të mund të ishte e paimagjinueshme vetëm pak muaj më parë, por Griezmanni ka rënie në formë dhe mbështetja e Deschampsit në aftësinë e tij për të luajtur në disa role në fushë duket se ka marrë fund.
“Ishte zgjedhje duke u bazuar në opsionet që i pata”, u ka thënë Deschamps gazetarëve kur u pyet për mospërfshirjen e tij, të cilën shumë njohës të futbollit e kishin parashikuar.
Selektori i Francës zgjodhi shpejtësinë për t’u përballur me Poloninë dominuese në aspektin fizik. Mund të vazhdojë me të njëjtën ide kundër Belgjikës që mbrohet me katër mbrojtës. Kjo do të bënte që Griezmanni të lihet sërish jashtë formacionit startues.
33-vjeçari ka më së shumti paraqitje me fanellën e Francës. Ai theu rekordin e Lilian Thuramit para ndeshjes kundër Polonisë me 32 ndeshje në Kupën e Botës dhe në Evropianë.
Në fakt, ai nuk ka munguar në asnjë ndeshje për “Les Bleus” në dy turne madhorë, që kur debutoi për Francën në vitin 2014, shkruan “Reuters” të enjten.
Ai ka qenë i pranishëm në të gjitha kampanjat e Francës në krye me Deschampsin dhe ka luajtur në 84 ndeshje rresht me shtetin e tij, që është rekord. Kjo ecuri pozitive u ndal në muajin mars për shkak të një lëndimi.
Duke u përdorur si lidhje e mesfushës me sulmin, ai ka luajtur në disa role brenda dhe jashtë fushës. Këto vlerësoheshin nga Deschamps.
“Ai është lojtar i tillë që mund ta bëjë ndryshimin në skuadër sepse punon fort dhe ka dhunti teknike”, ka thënë përzgjedhësi francez më herët gjatë këtij viti.
“Natyrisht, përgjegjësia e tij kryesore nuk është fitimi i topit. E majta e tij është e mrekullueshme. Ai krijon shumë shanse të mira për të tjerët. Ai është dikush që mendon vetëm mirë për ekipin dhe ekipi është mbi të gjitha. Ndoshta është punëtori më i madh në skuadër”.
Por është e qartë se një pjesë e atij shkëlqimi ka humbur, sidomos në duelet jo të mira që Griezmann i pati kundër Austrisë dhe Holandës në Grupin D.
Statistikat e tij, po ashtu, nuk janë të mira.
Edhe pse nuk ka rol sulmues siç bën te klubi i tij, Atletico Madridi, Griezmann ka shënuar dy gola në 31 ndeshje për shtetin e tij. Tani ai ka 44 gola të realizuar në 132 paraqitje me Francën.