Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Çështja e kontratës mes Barçës e Atleticos mund ta ndihmojë Griezmannin në Botëror

Më pak minuta në fushë aktualisht mund të jenë më shumë mundësi për sulmuesin Antoine Griezmann që të shkëlqejë në Kupën e Botës, “Katari 2022”.

Sulmuesi i Francës këtë edicion ka më pak minuta në fushë me fanellën e Atletico Madridit për shkak të një mosmarrëveshjeje unike të kontratës me Barcelonën. Megjithatë, vendi i tij te Përfaqësuesja e Francës në Botëror nuk do të rrezikohet për asnjë moment dhe Griezmann mund të jetë njëri prej lojtarëve të paktë që do të shkojë i freskët në turneun e nëntorit.

Griezmann këtë edicion në të gjitha ndeshjet ka qenë rezervist tek Atletico Madridi, pasi klubi nga kryeqyteti spanjoll po përpiqet ta shmangë detyrimin për t’i paguar Barcelonës 40 milionë euro në fund të këtij edicioni. Këtë dëmshpërblim të detyrueshëm, Atletico do të duhet t’ia paguajë Barcelonës nëse Griezmann luan më shumë se 45 minuta mesatarisht në një numër të caktuar ndeshjesh gjatë huazimit të tij.

Trajneri i Atleticos, Diego Simeone, e ka përdorur sulmuesin vetëm pas minutës së 60-të në të gjashtë ndeshjet e ekipit të tij në La Liga këtë edicion. Madje, Griezmannin e ka inkuadruar në lojë pas minutës së 60-të edhe në duelin ndaj Portos në Ligën e Kampionëve. 31-vjeçari, i cili e ka fituar Kupën e Botës me Francën para katër vjetësh, është në vitin e tij të dytë të huazimit tek Atletico, ekip që me këto veprime po përpiqet ta bindë Barcelonën në uljen e çmimit për kartonin e lojtarit.

Griezmann ishte një yll i vërtet tek Atletico për pesë vjet (2014-2019), përpara se të transferohej te Barcelona, ku i pati dy edicionet tejet zhgënjyese. Griezmann ka pranuar se dëshiron të ketë minutazhë më të madhe këtë edicion tek Atletico, por gjithashtu ka thënë se e kupton shumë mirë situatën në të cilën gjendet.

Edhe Griezmann ëndërron finale përrallore në edicionin lamtumirës Futboll Griezmann ëndërron finale përrallore në edicionin lamtumirës

“Është kjo situatë që është dhe e cila nuk varet nga unë”, ka thënë Griezmann. “Sigurisht që dua të luaj më shumë, por do të jap gjithçka nga vetja në minutat që trajneri mi lë në dispozicion. Unë jam një lojtar ekipi, jam i lumtur këtu dhe dua të luaj. Dua të jap gjithçka për klubin, Simeonen dhe për tifozët”.

Griezmann sigurisht që e ka shfrytëzuar maksimalisht kohën e tij në fushë deri më tani, duke pasur paraqitje pozitive sa herë që është inkuadruar nga banka e rezervistëve. Ai ka shënuar tashmë tre gola për Atleticon, duke përfshirë edhe atë të fitores ndaj Portos në kohën shtesë të ndeshjes hapëse në Ligën e Kampionëve javën e shkuar. Edhe trajneri Simeone është i kënaqur me kontributin e Griezmannit për kohën që po e kalon në fushë.

“Në këtë pikë të sezonit ai po na ndihmon në këtë mënyrë të veçantë dhe kjo tregon cilësinë e tij”, tha Simeone. “Ajo që dimë është se në 30 minuta ai ka luajtur shumë mirë. Ne nuk e dimë se si do të ishte në 60 minuta. Mund të vazhdoj vetëm me atë që dimë”.

Nëse Griezmann vazhdon të luajë mirë duke mos u mbingarkuar, ai mund të arrijë në Kupën e Botës në gjendje të shkëlqyer fizike, ndërkohë që shumica e lojtarëve do të dalin nga një program ndeshjesh pa pushim, i nxitur nga orari i ngjeshur për shkak të Kupës së Botës që nis në fund të muajit nëntor.

Edhe Griezmann ka vendosur për të ardhmen Futboll Griezmann ka vendosur për të ardhmen

Griezmann do të ishte në pozitë të mirë për të qenë titullari i tretë në repartin e sulmit të Francës, i cili pritet të drejtohet nga Kylian Mbappe dhe Karim Benzema. Zgjedhjet e tjera të përzgjedhësit të Francës, Didier Deschamps, për sulmin, përfshijnë Wissam Ben Yedderin, Kingsley Comanin, Moussa Diabyn, Ousmane Dembelen, Olivier Giroudin dhe Christopher Nkunkun.

Në Botërorin “Katari 2022”, Franca bën pjesë në Grupin D, ku janë edhe Danimarka, Australia e Tunizia.