Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Reja kërkon fitore ndaj rivalëve direkt

Trajneri i Përfaqësueses së Shqipërisë, Edoardo Reja, në konferencën për media ka folur për dy ndeshjet eliminatore të Kampionatit Botëror “Katari 2022”.

Shqipëria më 9 tetor luan në udhëtim kundër Hungarisë, ndërsa tri ditë më vonë, e pret në shtëpi Poloninë.

Këto ndeshje i takojnë Grupit I kualifikues.

Reja ka insistuar se katër pikë nga këto dy ndeshje do të ishin të mjaftueshme për Shqipërinë për ta mbajtur gjallë ëndrrën, kualifikimin në plejof për Botërorin e vitit të ardhshëm.

“Me Poloninë medoemos duhet të fitojmë sepse është rivali ynë në grup, nuk kemi asnjë alternativë tjetër. Dua t’i marrim ndeshjet një pas një. Tani kemi Hungarinë një sfidë deçizive dhe më pas me Poloninë. Në rastin më të keq dua që të marrim me çdo kusht tre pikë me Poloninë që të ruajmë pozicionin dhe për të shpresuar deri në fund. Por për mua idealja është 4 pikë në këto dy ndeshje”, deklaroi Reja. “Janë dy ndeshje shumë të forta, për mua është e rëndësishme që Shqipëria po rritet, jemi skuadër kompetitive, një humbje na largon nga ëndrra që kemi, për në plejof, është e detyrueshme që të marrim dy rezultate pozitive në dy ndeshjet e ardhshme. Janë dy ndeshjet vendimtare, për të shpresuar deri në fund që të jemi në lojë”.

Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura, Shqipëria është e dyta në grup me 16 pikë të mbledhura, katër më pak se Anglia që është lidere. Polonia është e treta me 11 pikë, një më shumë se Hungaria që renditet e katërta.