Përzgjedhësi Edoardo Reja ka thënë se synimi i tij me Shqipërinë është kualifikimi në Evropianin e vitit 2024. Ai të shtunën në konferencën për media ka theksuar se ende nuk ka asnjë vendim për të ardhmen e tij te Shqipëria. Reja do ta drejtojë Shqipërinë për ndeshjen miqësore kundër Katarit, ndeshje kjo që do të luhet më 9 nëntor në Spanjë. Për ndeshjen ndaj Katarit ka ftuar 23 lojtarë. Trajneri kuqezi theksoi se Shqipëria ka shumë lojtarë të vlefshëm, ndërsa u ndal edhe te pengesa e klubeve që nuk i lejojnë lojtarët të vijnë në këto miqësore për shkak se nuk janë data zyrtare të UEFA-s.
“Pritshmëritë e mia janë që ne të bëjmë një paraqitje shumë të mirë, pasi ekipi është rritur dhe kemi arritur në një nivel shumë të mirë dhe sa i përket kompeticionit zyrtar, kam shprehur gjithnjë bindjen që ne do të luajmë shanset tona për të arritur një kualifikim në finalet e “Evropianit 2024”. Kemi përpara Poloninë, një rival shumë të fortë, është e kotë të flasim gjatë. Edhe Republika Çeke është një kundërshtar shumë i fortë, por nëse ne arrijmë të bëjmë atë që ne kemi thënë vazhdimisht, të përmirësojmë gabimet tona, ne mund të jemi kompetitivë dhe të luajmë deri në fund mundësitë tona për të kaluar Çekinë dhe për të dalë të dytët”, ka thënë Reja në konferencë.
Italiani i ka vlerësuar të rëndësishme miqësoret ndaj Italisë dhe Armenisë.
“Miqësoret i konsideroj si ndeshje zyrtare, i konsideroj si të rëndësishme dhe pres të shoh rritje nga skuadra ndaj Italisë dhe Armenisë. Por, për mua është e rëndësishme edhe miqësorja kundër Katarit, sepse luan Kombëtarja shqiptare, lojtarët duhet të bëjnë një paraqitje të mirë dhe kanë një rast për të treguar vlerat e tyre dhe për të na bërë krenarë të gjithëve. E njëjta gjë vlen edhe për ndeshjen kundër Italisë, ku kuptohet që motivimi është diçka tjetër, të gjithë duan të luajnë dhe do të bëjnë maksimumin, sepse kuptohet që do të luajmë ndaj një kundërshtari me nivel më të lartë. Për mua është e rëndësishme të tregojmë vlerat tona dhe i vetmi merak që kam është mentaliteti dhe nuk duhet të tregohemi “mendjemëdhenj” me veprimet tona në fushë, sepse ky është aspekti i vetëm që kam parë te Kombëtarja shqiptare. Kjo duhet rregulluar pasi të tjerat mund të rregullohen”, është shprehur Reja.
-
Shqipëria publikon listën për miqësoren me Katarin
-
Shqipëria synon t’i mbyllë eliminatoret e Botërorit “Katari 2022” me 18 pikë
-
Shqipëria gati për ndeshjen më të rëndësishme në evropian
-
Spanja e vlerëson maksimalisht ndeshjen me Shqipërinë
-
Te Shqipëria synojnë fitore ndaj Spanjës për sukses historik