Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria synon t’i mbyllë eliminatoret e Botërorit “Katari 2022” me 18 pikë

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, ka insistuar se “kuqezinjtë” do ta kërkojnë maksimumin në dy ndeshjet e fundit të ciklit eliminator për Botërorin “Katari 2022” që i luajnë këtë muaj, pavarësisht gjasave minimale për kualifikim në këtë ngjarje. Megjithatë, prej dy ndeshjeve, Reja ka pranuar se do të ishte i kënaqur me tri pikë. Në fakt, ai synon që këtë cikël kualifikues ta mbyllë me 18 pikë të mbledhura.

Shqipëria, aktualisht është në pozitën e tretë të Grupit I me 15 pikë të tubuara pas tetë ndeshjeve të zhvilluara, kurse dy duelet e fundit, i luan me Anglinë në udhëtim dhe Andorrën në shtëpi. Me Anglinë, do të përballet në stadiumin “Wembley” më 12 nëntor, ndërsa tri ditë më vonë, do të luajë në Tiranë kundër Andorrës. Anglia tashmë e kualifikuar në Botërorin e vitit të ardhshëm, i prin grupit me 20 pikë, e përcjellë nga Polonia që ka tri pikë më pak dhe zë vendin e dytë. Ndërkohë, Polonia do të luajë në të njëjtat data me Andorrën në shtëpi dhe Hungarinë në udhëtim.

“Djemtë e kanë parë që kemi mundësi, kemi fituar dy ndeshje me Hungarinë që vinte nga Kampionati Evropian. Nëse do të arrijmë 18 pikë do të jetë kënaqësi, mbetet zhgënjimi për të mos shkuar në Botëror. Është e rëndësishme që kemi konkurruar me këto skuadra, por nuk duhet gabuar asgjë në këto nivele dhe këtu duhet të rritemi. Na vjen keq se kemi fituar me Hungarinë dhe mungonte pak, nëse do të ishim të plotë me Poloninë do të kishim shumë mundësi për të fituar. Ky është një hidhërim, por edhe nga djemtë kuptohet që është një hap para”, ka thënë Reja. “Ne do të angazhohemi maksimalisht për dy ndeshjet e mbetura, qoftë me Anglinë apo Andorrën për të shpresuar deri në fund. Shpresojmë që Hungaria të na japë një dorë duke e ndalur Poloninë. Mirëpo, tani gjërat janë vështirësuar, por do të luajmë shanset tona. Kemi disa shpresa për të luajtur në plejof, dhe do të luajmë deri në fund. Ne duhet të shohim veten, por e di që është e vështirë në Angli”.

Reja ka thënë se do të kërkojë nga lojtarët të japin maksimumin në këto dy ndeshje, ndonëse ka shtuar se ka disa mungesa të rëndësishme, të cilat mund të ndikojnë në paraqitjen e ekipit. Berat Gjimshiti, Amir Abrashi, Ivan Balliu e Rey Manaj nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit italian, për shkak të lëndimeve.

“Kemi shumë mungesa që na penalizojmë, pasi bëhet fjalë për lojtarë të rëndësishëm si Abrashi e Gjimshiti”, është shprehur Reja. “Do t’u kërkoj lojtarëve të japin maksimumin në këto dy ndeshje, edhe pse më vjen keq për duelin me Poloninë që nuk e kemi merituar ta humbim. Nëse do të barazonim, do të kishim më shumë shanse, por ne do të shkojmë në Angli të luajmë dhe të paraqitemi sa më mirë”.

Edhe Reja me Shqipërinë synon kualifikimin në “Euro 2024” Sport Reja me Shqipërinë synon kualifikimin në “Euro 2024”

Ndërkohë, Reja ka folur edhe për mesfushorin Taulant Xhaka, i cili ka kohë që nuk është pjesë e Shqipërisë. Sipas Rejas, Xhaka është larguar nga Shqipëria për shkak se i ka refuzuar ftesat që ia ka dërguar. Xhaka në vitin 2014 debutoi me Shqipërinë dhe në 31 ndeshje realizoi një gol.

“Sipas meje, Xhaka po tallet me ne, sepse ftesa i ka shkuar. Nuk e kam ftuar vetëm një herë në fillim dhe më pas e kam ftuar vazhdimisht, por ai ka refuzuar. Ai thoshte se nuk ishte mirë dhe pastaj luante me klubin. Xhaka kishte gjithnjë justifikime, u kam dhënë mundësi të gjithëve të vijnë. Nuk është sjellë mirë me ne, e ka braktisur kombëtaren dhe e mira është që njerëzit ta dinë”, u shpreh Reja.