Forma e mirë e sulmuesit kanadez Jonathan David te Lille ka tërhequr vëmendjen e skuadrës së Real Madridit.
Mediumet e huaja kanë njoftuar të enjten se Reali është futur në garë për shërbimet e sulmuesit 21-vjeçar. David tashmë ka paralajmëruar largimin e tij nga ekipi francez në fund të këtij sezoni dhe Reali është i gatshëm të bëjë ofertë për transferimin e tij.
Te Lille, po kërkojnë të paktën 50 milionë euro për ta lënë të lirë Davidin, i cili ka kontratë deri në vitin 2025. Ai iu bashkua Lillet vitin e shkuar nga Genti dhe këtë sezon ka shënuar 15 gola në 26 ndeshje në të gjitha garat.
David ka edhe 18 gola në 24 paraqitje për Përfaqësuesen e Kanadasë. Krahas Realit, interesim për sulmuesin e ri kanë shfaqur edhe Bayern Munichu e Arsenali.