Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rashica i lumtur me golin dhe fitoren, lavdëron stërvitjet e Fodas

Shënuesi i golit të fitores për Kosovën në Jerevan ndaj Armenisë në miqësore, Milot Rashica, është shprehur i lumtur me fitoren.

Ai ka thënë se fitorja do t’u shërbejë për vazhdimësi pozitive, ndërsa ka lavdëruar edhe stërvitjet e përzgjedhësit të ri, gjermanit Franco Foda. “Një fillim i mirë, një fillim i mbarë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu. Trajneri i ri ka sjellë një energji të re me stafin e tij. Kemi pasur tre-katër stërvitje shumë të mira dhe shpresojmë që gjërat e mira në stërvitje t’i aplikojmë edhe në ndeshje”, ka thënë fillimisht Rashica për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Rashica, megjithatë, ka thënë se është dashur të shënohen më shumë gola në këtë ballafaqim.

“Gjithmonë është një ndjenjë krejtësisht tjetër kur arrin të shënosh për Kosovën. Sot patëm edhe disa raste të tjera sidomos unë. Është dashur të shënojë edhe një herë por e rëndësishme është që po arrijmë të krijojmë raste dhe po arrijmë të dalim në zonën e fundit. Normal, duhet të provojmë dhe t’i përfundojmë aksionet në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Është gjithmonë gjë e mirë të nisim me fitore dhe shpresojmë të arrijmë rezultat pozitiv edhe në ndeshjen tjetër”, ka deklaruar Rashica.

Kosova ndeshje ne ardhshme e luan në Budapest më 26 mars, kundër Hungarisë.