Sport

Rashica e Paqarada nuk bashkohen me Kosovën, caktohen zëvendësuesit e tyre

Sulmuesi Milot Rashica dhe mbrojtësi Leart Paqarada, që luajnë në dy nivelet e para të futbollit gjerman, nuk do t’i bashkohen Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjet e këtij muaji, ndonëse janë në listën e përzgjedhësit Bernard Challandes.

Rashica dhe Paqarada nuk janë lejuar nga klubet e tyre, Werder Bremeni dhe St. Pauli që të largohen nga Gjermania për t’u tubuar me Kosovën, që nis grumbullimin të hënën në Durrës. Werderi dhe St. Pauli të enjten kanë njoftuar se nuk do t’i lirojnë futbollistët për arsye të sigurisë shëndetësore pasi vlerësojnë se lojtarët rrezikojnë të preken nga koronavirusi. Mungesën e tyre për ndeshjet e këtij muaji e ka konfirmuar edhe ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti.

Ai ka thënë se përkundër dëshirës së madhe të lojtarëve që t’i bashkohen Kosovës, një gjë e tillë është e pamundur për shkak të vendimeve të klubeve dhe regjioneve prej nga vijnë. “Dardanët” gjatë këtij muaji do t’i zhvillojnë tri ndeshje, një miqësore dhe dy të tjera në kuadër të Ligës së Kombeve.

Më 11 nëntor Kosova do të luajë miqësore me Shqipërinë në Elbasan, përpara së të përballet me Slloveninë (15 nëntor) në udhëtim dhe Moldavinë (18 nëntor) në stadiumin “Fadil Vokrri”. Këto dy ndeshje janë të fundit për Kosovën në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve (Liga C).

Në fakt, Werderi nuk ka lejuar asnjë prej futbollistëve që kanë marrë ftesa të bashkohen me përfaqësueset e tyre, me përjashtim të portierit çek Jiri Pavlenka. Arsyeja për këtë është se Çekia do të luajë ndaj Gjermanisë në Leipzig, qytetin gjerman. Në ekipin e Bundesligës kanë thënë se “në mënyrë që të mbrohen lojtarët më së miri që është e mundshme gjatë pandemisë së koronavirusit, ata do të mbesin në klub”. Ky vendim krahas Rashicës ka prekur edhe lojtarët si Marco Friedl (Austri), Yuya Osako (Japoni), Josh Sargent (SHBA) e Millosh Veljkoviq (Serbi).

“Ne biseduam me lojtarët tanë dhe me federatat. Ne e dimë që lojtarët do të donin të bashkoheshin me ekipet e tyre, por duke pasur parasysh situatën e përgjithshme, ne nuk mund ta marrim atë rrezik këtë herë”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Werderit, Frank Baumann.

Ndërkohë edhe St. Pauli, që bën gara në Bundesliga 2, ka thënë se shkaku i rrezikut të madh nga koronavirusi dhe për të evituar karantinimin pas kthimit, ka marrë vendim për të mos liruar Paqaradën që do të vazhdojë të stërvitet në qendrën stërvitore të klubit.

“Leart Paqarada ka marrë ftesë nga Kosova por ai do të mbetet në Hamburg pas konsultimeve me ata që janë përgjegjës”, ka shkruar ndër të tjera St. Pauli në rrjetet sociale.

Sipas Sahitit, mungesat e vetme të Kosovës do të jenë Rashica e Paqarada, të cilët janë përpjekur deri në momentet e fundit për të qenë nën urdhrat e përzgjedhësit Challandes. Sipas tij, duke pasur parasysh situatën aktuale me koronavirus, përzgjedhësi Challandes ka futur në listën rezervë dy futbollistë – Valmir Sulejmani e Florian Loshaj - që do të ftohen për të mbuluar boshllëkun e lënë.

“Sikur e kemi parandier një situatë të tillë dhe për këtë arsye kemi ftuar shumë futbollistë për këto ndeshje. Miloti e Learti nuk mund të na bashkohen për shkak të situatës me koronavirus dhe karantinimit të detyrueshëm që i pret kur të kthehen. Natyrisht dëshira e tyre është e madhe për të qenë në këto ndeshje por është vendimi i klubit dhe i regjionit që në fund duhet patjetër ta respektojmë. Ne duhet të pajtohemi me këtë dhe të vazhdojmë përgatitjet për ndeshjet e këtij muaji”, është shprehur Sahiti. “Tani për tani nuk ka mungesa tjera dhe shpresoj të mos kemi, edhe pse gjërat mund të ndryshojnë në momentet e fundit si pasojë e situatës aktuale”.

Kosova në dy muajt e fundit është përballur me mungesa të futbollistëve që nuk kanë mundur t’u bashkoheshin “Dardanëve” pasi ishin të obliguar të futeshin në karantinë kur të ktheheshin te klubet e tyre. Në të vërtetë, Rashica i ka munguar Kosovës në katër ndeshjet e fundit pasi në duelin kundër Moldavisë të luajtur në shtator pati pësuar lëndim të gjurit. Ai ka 25 ndeshje dhe katër gola të shënuara me Kosovën derisa Paqarada ka realizuar një gol në 19 ndeshje. Aktualisht Kosova është pjesë e grupit të tretë të Ligës C të Ligës së Kombeve dhe pas katër ndeshjeve të zhvilluara zë vendin e tretë në tabelë me dy pikë të tubuara. Ka regjistruar dy barazime dhe dy humbje.

Në Gjermani luajnë edhe lojtarë të tjerë të Kosovës si Florent Muslija e Valmir Sulejmani. Ata janë pjesë e Hannoverit. Sulejmani ka thënë të mos jetë ftuar ende, ndërsa ka treguar se Muslija ka marrë leje nga klubi. Trajneri i tyre ka thënë se do të dëshironte që asnjë lojtar mos të largohej gjatë këtij muaji për t’u grumbulluar me përfaqësuese.