Mbrojtësi i krahut të majtë, Leart Paqarada, ka në total 21 ndeshje të luajtura me Përfaqësuesen e Kosovës, por paraqitjen e fundit me “Dardanët” e ka pothuajse para dy vjetësh. Ai luajti për 45 minuta në ndeshjen miqësore ndaj Lituanisë, të cilën Kosova e fitoi 4:0 më 24 mars të vitit 2021. Pas kësaj ndeshjeje, Paqarada nëpërmjet një postimi në “Instagram” njoftoi se nuk do të jetë pjesë e Kosovës përderisa në krye të ekipit të mbetet trajneri nga Zvicra, Bernard Challandes. Paqarada ishte i pakënaqur me minutazhën e tij, ndërsa tani selektor i Kosovës është francezi Alain Giresse. Në fakt, Paqarada u ftua nga Giresse në shtator të vitit të shkuar, por shkaku i lëndimit nuk arriti të bashkohet me ekipin. Ndërkohë, të enjten për faqen zyrtare të klubit të St. Paulit që bën gara në Bundesliga 2, Paqarada, 28-vjeçar, ka thënë se mezi pret që të luajë sërish me fanellën e Kosovës. Kosova në fund të këtij muaji i nis kualifikimet për “Euro 2024”. Është në Grupin I së bashku me Zvicrën, Rumaninë, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorrën. Ndeshjen e parë, Kosova e zhvillon më 25 mars në udhëtim te Izraeli, ndërsa tri ditë më vonë e pret Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Në muajt dhe vitet e fundit, ne gjithmonë kemi qenë në kontakt, në fakt kanë qenë biseda pozitive. Shpresoj dhe mendoj se do të jem sërish atje. Mezi pres, gjithmonë ka qenë një ndjenjë fantastike. Pushimi ishte i mirë, por jam shumë i lumtur të luajë për shtetin tim në kualifikimet e Evropianit. Kjo është emocionale dhe më ka munguar shumë për një vit e gjysmë”, është shprehur Paqarada.
Në intervistë, Paqarada, gjithashtu ka folur edhe për ekipin e ri, Koelnin. Ai në janar të këtij viti njoftoi se do t’i bashkohet ekipit nga Bundesliga si lojtar i lirë, pasi në verë i skadon kontrata me St. Paulin. Paqarada me Koelnin ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2026. Megjithatë, deri atëherë, ai ka premtuar se do të japë gjithçka nga vetja për fanellën e St. Paulin, ekip ku e bart shiritin e kapitenit.
“Jam duke shikuar një apartament apo një shtëpi. Koelni po vjen dhe nuk po largohet. Po kënaqem me kohën time këtu dhe do të them lamtumirë me lot në sy, sepse ende jam duke kaluar kohë të mirë këtu. Do të vazhdojë të jap 100 për qind në fushë, sepse po kënaqem në këtë edicion. Ndihem mirë këtu edhe në ditët e këqija. Kemi ambient të mirë këtu. Kushtet janë shumë të mira dhe tifozët janë të jashtëzakonshëm. Klubi të jep shumë, pavarësisht rezultateve”, është shprehur Paqarada.
St. Pauli në Bundesliga 2 është në seri prej gjashtë fitoreve. Aktualisht zë pozitën e shtatë në tabelë me 35 pikë të mbledhura, por shumë larg vendit të parë e të dytë.
Darmstadti është lider me 49 pikë, kurse Hamburgu i dyti me një pikë më pak.
Në vendin e tretë, që dërgon në barazh për inkuadrim në elitën e futbollit gjerman, është Heidenheimi, që ka 46 pikë.