Leart Paqarada do të mund t’i bashkohet skuadrës së Koelnit në Bundesligën gjermane në verë. Mbrojtësi i Kosovës do të jetë pjesë e skuadrës para edicionit të ri.
Një gjë e tillë është konfirmuar të premten mbrëma, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e ka pezulluar vendimin e FIFA-s, sipas të cilit Koelni nuk kishte të drejtë të regjistronte ndonjë lojtar në dy afatet e ardhshme kalimtare.
Ndalimi i transferimeve nuk hyn në fuqi për momentin dhe Koelni mund të transferojë lojtarë në verë dhe do të ketë afat normal të transferimeve.
Vendimi final nuk pritet të merret deri në vjeshtë, raporton Bild. Kjo nuk ka rëndësi për Koelnin, sepse deri në atë periudhë drejtori sportiv i skuadrës, Christian Keller, do të mund ta krijojë skuadrën për edicionin e ri.
Në fund të muajit mars, FIFA vendosi të mos e lejojë Koelnin të transferojë lojtarë në dy afatet kalimtare të ardhshme.
Një gjë e tillë kishte ardhur për shkak të transferimit të 17-vjeçarit Jaka Potoçnik nga Lubjana, e që ishte vlerësuar transferim i parregullt.
Talenti i Lubjanës e kishte prishur kontratën më 30 janar të vitit 2022 dhe është thënë se ai ka nënshkruar kontratë me Koelnin një ditë më pas.
Meqenëse pezullimi është hequr, Leart Paqarada 28-vjeçar do të mund të transferohet në elitën e futbollit gjerman dhe do të luajë në Bundesligë për herë të parë. Paqarada më herët ka zyrtarizuar kalimin te Koelni, por transferimi i tij mbeti pezull pas vendimit të FIFA-s.
Paqarada 28-vjeçar vazhdon të paraqitet për St. Paulin në Bundesliga 2. Është prej lojtarëve kryesorë te kjo skuadër. Thuajse gjithë karrierën si senior e ka kaluar në kategorinë e dytë gjermane. Ka 246 ndeshje, dhjetë gola e 42 asistime.