Zhvillimet e fundit në skuadrën e Koelnit kanë prekur futbollistin e Kosovës, Leart Paqaradën, i cili është pjesë e St. Paulit në Bundesliga 2. Koelni i ka të bllokuara aktualisht dy afatet kalimtare të ardhshme dhe transferimi i Paqaradës në Bundesligë ende nuk është i sigurt.
Si rezultat i zhvillimeve në skuadrën e elitës gjermane të futbollit, edhe paraqitja e Paqaradës në duelin e fundit nuk ishte e pritura dhe majtaku u kritikua shumë. Por në mbrojtje atij i ka dalë trajneri i skuadrës së Bundesligës 2, Fabian Hurzeler.
“Ai ka disa gjëra në mendje për momentin, të gjithë e dinë këtë. Por ne duhet t’i kemi parasysh se prapa të gjithë lojtarëve ka diçka tjetër, sepse ata janë njerëz. Dhe Paqarada nuk është makineri. Ai ka bërë kaq shumë për ne dhe për këtë arsye i lejohet të luajë edhe në mënyrë të tillë”, ka thënë trajneri i skuadrës për Paqaradën, që ka humbur shumë topa dhe nuk ishte i mirë teknikisht.
Pavarësisht paraqitjes, Paqarada 28-vjeçar luajti deri në minutën e parë të kohës shtesë. St. Pauli fitoi ndaj Regensburgut 1:0 në ndeshjen e xhiros së 26-të të shtunën, ndërsa ishte fitorja e nëntë rresht në Bundesliga 2 për këtë skuadër, që synon inkuadrimin në Bundesligë.