Trajneri i përkohshëm i Manchester Unitedit, Ralf Rangnick është emëruar përzgjedhës i Përfaqësueses së Austrisë. Lajmi është konfirmuar të premten në uebfaqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Austrisë.
Rangnick ka firmosur kontratë dyvjeçare me federatën austriake, por nëse Austria kualifikohet për Evropianin e vitit 2024, atëherë kontrata e tij do të zgjatet automatikisht edhe për dy vite tjera, deri në Kampionatin Botëror të vitit 2026.
Rangnick zyrtarisht punën e tij te Austria do ta fillojë në fund të këtij sezoni, saktësisht në fund të muajit maj kur do të largohet nga Manchester Unitedi për ta përgatitur Austrinë për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Kroacisë, Danimarkës dhe Francës.
Përkundër që është emëruar përzgjedhës i Austrisë, Rangnick pas përfundimit të këtij edicioni do të mbetet këshilltar te Manchester Unitedi.
“Në fund të këtij sezoni do ta marrë drejtimin e Austrisë, por do ta vazhdoj punën e këshilltarit te Manchester Unitedi. Me padurim po pres ta ndihmoj Unitedin të bëhet forcë e madhe sërish në futbollin evropian”, ka thënë Rangnick.