Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ramaj impresionon në paraqitjen e rrallë në Bundesligë

Portieri Diant Ramaj debutoi në Bundesligë më 16 janar të vitit të kaluar. Skuadra e tij, Eintracht Frankfurt, kishte luajtur 1:1 me Augsburgun. 21-vjeçari është dashur të presë deri të mërkurën mbrëma për ndeshjen tjetër në kampionatin gjerman. Frankfurti sërish luajti 1:1, me Freiburgun, por Ramaj ka shkëlqyer në portë. Kështu të paktën kanë vlerësuar te skuadra e madhe gjermane e futbollit.

Portieri i parë i Frankfurtit është Kevin Trapp. Ai mungoi të mërkurën për shkak se ishte sëmurë dhe kështu rasti i erdhi portierit me prejardhje nga Kosova. Dhe Ramaj nuk ka dëshpëruar. Përkundrazi, ka impresionuar, sipas vlerësimit të sajtit zyrtar të Frankfurtit.

Frankfurti është i katërti në Bundesligë pas pjesës së parë të kampionatit, përkatësisht pas xhiros së 17-të. I ka 31 pikë, vetëm pesë më pak se lideri, Bayerni.

Për paraqitjen ndaj Freiburgut, Ramaj mori lëvdata nga të gjitha anët.

“Dianti e meritoi këtë. Ai luajti ndeshje të mirë dhe kishte karizëm të mirë. Askush nuk është ndier i pasigurt për shkak të tij”, ka thënë Christopher Lenz, mbrojtësi i Eintracht Frankfurtit.

Trajneri Oliver Glasner po ashtu u impresionua me paraqitjen e Ramajt.

“Jam shumë i lumtur. Mund të duket jospektakolare, por ai ishte në vendin ku shkoi topi në çdo goditje. Ky është një kualitetit i rëndësishëm dhe nuk mendoj se është rastësi”, ka thënë Glasner.

Frankfurti kishte mbrojtje shumë të re në këtë ndeshje. Por u paraqit në nivel të lartë.

“Nëse ndonjë top depërtonte, aty ishte Dianti”, ka shtuar trajneri Glasner.

Vet Ramaj është shprehur shumë i lumtur për vlerësimet pozitive. Ai është i kënaqur me paraqitjen personale dhe të ekipit. Tregon se e kishte përkrahjen e të gjithëve në ekip.

Kosovari nuk e kishte problem për të gjetur ritmin.

“Ndeshja ishte afër fazës përgatitore gjatë të cilës kemi pasur disa ndeshje. Për këtë nuk ishte e vështirë për mua. Lajmi se do të luaj më erdhi befasishëm. Por e kam pranuar shumë pozitivisht dhe jam munduar ta luaj lojën time”, ka thënë Ramaj për sajtin zyrtar të Frankfurtit.

Ndonëse aktivizohet rrallë, Ramaj vlerëson se ka bërë zhvillimin e duhur.

“Ndjej se kam bërë hapin para në ekip. Po ashtu në kuptimin e personalitetit. Dhe bashkëlojtarët e ndjenjë këtë, besimi i tyre është aty. Kjo merret për bazë”, ka thënë portieri i lindur në Stuttgart.

Eintracht Frankfurti tani luan me Bayernin.

“Nëse ndodh të luaj të shtunën, do të jetë ndeshja më e madhe në karrierën time. Mundohemi t’i pranoj të gjitha, të luaj lojën time top pas topi, të reagoj dhe të shoh se çka vjen tutje, njëjtë si para Freiburgut. Mundohem të kryej punën time dhe të jap më të mirën”, ka theksuar Ramaj.

Ai është te Frankfurti prej verës së vitit 2021. Më herët ishte te Heidenheimi dhe te disa skuadra të kategorive të reja. Ka paraqitje për U18, U19 e U20 të Gjermanisë, por nuk ka luajtur ende në nivelin senior me përfaqësuese. Kosova e ka në listën e dëshirave.

Artikuj të ngjashëm