(KD) – Klubi i hendbollit Rahoveci ka debutuar të dielën mbrëma në arenën ndërkombëtare. Rahoveci ka pasur përballë skuadrën kampione të Çekisë, HCB Karvina, ndërsa është mbajtur në lojë deri në fund. Karvina fitoi me katër gola dallim, 33:29, por paraqitja e Rahovecit është vlerësuar.
Në të vërtetë skuadra çeke ishte favorite e madhe dhe pritej të shënonte fitore më bindëse. Por lojtarët e Rahovecit kanë luftuar deri në fund për ta mbajtur rezultatin e përafërt. Dhe e kanë arritur këtë.
Karvina nga viti 2001 e deri në vitin 2008 ka luajtur rregullisht në Ligën e Kampionëve. Më pas mungoi një kohë të gjatë nga skena evropiane, por është kthyer së fundi. Kjo skuadër ka 12 tituj të kampionit të Çekisë. Ndërkohë Rahoveci vetëm për edicionin e dytë po luan në elitën e hendbollit kosovar.
Braziliani De Carvalho Fernandes ishte më efikasi te Rahoveci. Ai i shënoi shtatë gola nga 14 tentime. Besmir Kusari i kishte gjashtë gola nga shtatë tentime, kurse Alban Haziri i kishte pesë gola nga tetë tentime. Arbër Curri u ndal në gjashtë pritje.
Ndeshja e kthimit është të shtunën e ardhshme në Çeki. Për Rahovecin do të jetë e pranueshme nëse sërish mbetet katër-pesë gola prapa.