Sport

PSG-ja do t’ia paguajë UEFA-s dhjetë milionë euro për shkeljen e rregullave financiare

Paris Saint-Germaini duhet të paguajë 10 milionë euro për shkeljen e rregullave financiare të UEFA-s, me shtatë klube të tjera të ndëshkuara gjithashtu për shpenzime të tepërta që nga viti 2018.

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) tha se hetuesit e saj të financave urdhëruan që paratë që u takojnë tetë klubeve nga garat evropiane, që arrijnë në 26 milionë euro, të mbahen të bllokuara, sipas rregullave të ferplejot financiar.

Një dënim total prej 146 milionë eurosh mund të shqiptohet nëse klubet nuk arrijnë të përmbushin objektivat financiare në tri deri në katër vjetët e ardhshëm, për të cilat kanë rënë dakord në marrëveshjet e bëra, tha UEFA.

PSG-ja ka shumën më të madhe për të paguar, me një grup klubesh italiane në radhë. Roma do të humbë shpërblimin prej 5 milionë eurosh, Interi 4 milionë euro, Juventusi 3,5 milionë euro dhe Milani 2 milionë euro. Dënimet e tjera të vendosura ishin 600 mijë euro për Beshiktashin dhe nga 300 mijë euro për Marseillen dhe Monacon. Sanksionet, që janë për vitet financiare nga 2018 deri më 2022 – përfshirë edhe dy sezonet kur të hyrat e klubeve ishin goditur nga pandemia – duhet të jenë raundi i fundit i rasteve pasi UEFA në prill ka njoftuar se ky rregull do të modifikohet.

UEFA ka fuqizuar këtë rregull para një dekade për të monitoruar të hyrat dhe shpenzimet e klubeve që luajnë në garat e saj, për t’u siguruar që ato nuk bëjnë biznes të pambuluar që ka lidhje me futbollin. Klubeve iu lejuan shpenzime të pakufizuara për projektet e zhvillimit të stadiumeve dhe të rinjve.

PSG-ja, mbështetur nga Katari, duhej t'ia paguante UEFA-s 20 milionë euro në vitin 2014, kurse Manchester City, në pronësi të Abu Dabit, duhej të paguante të njëjtën shumë, në raundin e parë të rasteve të lidhura me ferplejin financiar.