UEFA ka njoftuar të premten se Milani, Roma dhe Interi kanë përmbushur obligimet e tyre për “Fair Playin Financiar”, për vitin financiar 2022/23.
Në muajin shtator të vitit të kaluar të tri klubet dhe Juventusi arritën një marrëveshje shumëvjeçare me UEFA-n pasi dështuan t’i përmbushin obligimet.
Të katër klubet u dënuan, por u pagua vetëm një shumë e vogël e parave për shkak të marrëveshjes.
Milani pagoi 2 milionë euro nga gjoba prej 15 milionë eurove. Juventusi pagoi 3.5 milionë euro nga 23 milionë euro sa ishte gjobitur. Interi pagoi 4 milionë euro nga dënimi prej 26 milionë eurove, kurse Roma pagoi 5 milionë euro nga gjoba 35 milionëshe.
UEFA të premten ka njoftuar se Milani, Roma dhe Interi kanë përmbushur obligimet dhe mund të vazhdojnë tutje me transferime në afatin kalimtar të verës.
Megjithatë, lehtë nuk ka kaluar Barcelona që është gjobitur me 500 mijë euro, kurse Manchester Unitedi është gjobitur me 300 mijë euro.