Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zyrtare, Juventusi përjashtohet nga Liga e Konferencës

Juventusi është përjashtuar nga edicioni i radhës në Ligën e Konferencës dhe është gjobitur për shkak të thyerjes së rregullave të “Fair Playt Financiar”.

Trupi qeverisës i futbollit evropian po ashtu e ka gjobitur Chelsean për thyerjen e rregullave financiare. Për Chelsean, UEFA ka thënë se “ka dorëzuar informata jo të plota financiare”.

UEFA ka thënë se çështja ka të bëj me transaksionet financiare prej vitit 2012 deri në vitin 2019. Juventusi është gjobitur me rreth 20 milionë euro, kurse Chelsea me rreth 10 milionë euro.

Klubi italian do të paguajë vetëm gjysmën e gjobës nëse të dhënat e tyre financiare për tre vjetët e ardhshëm, do të jenë në përputhje me rregulloret. Chelsea nga ana tjetër është pajtuar tashmë t’i paguajë shifrat e gjobës.

“Blutë” shpenzuan rreth 600 milionë euro në 19 lojtarë të rinj që u transferuan që nga ardhja e pronarit të ri, Todd Boehly, në maj të vitit 2022, por dënimi ka ardhur prej kohës së mëparshme shtatëvjeçare, kur pronar ishte Roman Abramovich.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Italisë tani duhet ta njoftojë UEFA-n se cila do të jetë skuadra që do ta zëvendësojë Juventusin në nivelin e tretë evropian të garave të UEFA-s. Pritet të jetë Fiorentina, që u mposht nga West Hami në finalen e edicionit të fundit. Fiorentina përfundoi e teta në Serie A.

Juventusi kishte paguar një gjobë prej 718 mijë eurove si pjesë e marrëveshjes me autoritetet e futbollit italian, për shkak të çështjes së pagesave të rrogave të lojtarëve.

Edhe UEFA pajtohet që Juve të tërhiqet nga Liga e Konferencës Sport UEFA pajtohet që Juve të tërhiqet nga Liga e Konferencës

Juventusit po ashtu iu hoqën 10 pikë në Serie A në edicionin e kaluar, pas parregullsive në financa. Juventusi fillimisht ishte dënuar me heqjen e 15 pikëve në muajin janar.

Nëse nuk do të kishte dënim me pikë për Juventusin, “bardhezinjtë” do të përfundonin në vendin e katërt dhe do të kualifikoheshin në fazën grupore të “Championsit”.

Sidoqoftë, Juventusi arriti marrëveshje me UEFA-n për vendimin e përjashtimit nga garat ndërkombëtare, dhe nuk do të ankohet për këtë vendim.