Futboll

Real Madridi kërkon më shumë se 4 miliardë euro dëmshpërblim nga UEFA

Real Madrid

Real Madridi planifikon të kërkojë më shumë se 4 miliardë euro dëmshpërblim nga UEFA, për humbjet e supozuara që pësoi pasi Konfederata Evropiane e Futbollit bllokoi idenë për Superligën kundërthënëse.

Te klubi spanjoll besojnë se kanë humbur të ardhura prej 4,5 miliardë deri në 4,7 miliardë euro, që kur UEFA vuri veton ndaj planit për Superligë Evropiane në vitin 2021. Shifra e humbjeve është paraqitur në raporte të përgatitura nga ekspertë të angazhuar nga Real Madridi.

Shifrat, që janë parë nga “Financial Times”, marrin për bazë humbjen e të ardhurave nga ndeshjet, transmetimet dhe të ardhurat komerciale të Real Madridit, që shtyu para propozimin për Superligë Evropiane.

Një person i afërt me klubin tha se po planifikohet të paraqitet së shpejti kërkesa për dëmshpërblim prej më shumë se 4 miliardë euro. Kërkesa do të bëhet në gjykatë.

Vlerësimi i Real Madridit vjen pasi UEFA së bashku me La Ligan dhe federatën spanjolle humbën të mërkurën një apel në gjykatën provinciale të Madridit.

Gjykata mbështeti vendimin e gjykatës tregtare të Madridit se UEFA abuzoi me pozicionin e saj dominues, duke bllokuar planet për Superligë, katër vjet më parë. Superliga do të funksiononte jashtë UEFA-s dhe do të ndryshonte futbollin evropian të klubeve.

Propozimi fillestar ishte që të formohej një ligë me 20 ekipe. 15 prej tyre, duke përfshirë Real Madridin, do të kishin status të përhershëm. Plani megjithatë dështoi vetëm 72 orë pasi u bë publik, pas kundërshtimit të madh nga tifozët e futbollit dhe politikanët.

“A22 Sports Management”, kompania që qëndron prapa Superligës, në dhjetor e riemërtoi garën e propozuar si “Unify League”, duke shtuar se tani favorizon konkurrencën e hapur, e që përfshinte më shumë klube.

Real Madridi tha se vendimi i gjykatës konfirmoi që UEFA “shkelte rëndë” ligjin e konkurrencës së Bashkimit Evropian dhe se vendimi “hap rrugën për pretendime përmbajtësore për të kompensuar dëmet e pësuara nga klubi”.

Në dhjetor të vitit 2023 Gjykata e Drejtësisë e BE-së vendosi se UEFA kishte vepruar në mënyrë të paligjshme duke kërcënuar të dënonte lojtarët dhe klubet që t’i bashkoheshin Superligës Evropiane.

UEFA udhëheq me Ligën e Kampionëve që sjell qindra miliona euro për Konfederatën Evropiane, klubet dhe federatat nacionale. Me krijimin e Superligës, Liga e Kampionëve do të dëmtohej rëndë. Real Madridi është klubi më i suksesshëm në Championsin e UEFA-s me plot 15 trofe.

UEFA pritet të apelojë ndaj vendimit të gjykatës supreme spanjolle. Kjo do ta detyronte Real Madridin të shtynte çdo kërkesë për dëmshpërblim, derisa të gjendej ndonjë zgjidhje.

Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, iu kundërpërgjigj Real Madridit pas vendimit të fundit të gjykatës. Tebas është në konflikt të hapur me klubin e madh nga Madridi.

“Ky vendim nuk përfaqëson në asnjë mënyrë një miratim për Superligën apo ndonjë format tjetër”, ka thënë Tebas.