Klubi i futbollit Prishtina mund të dënohet për shkak të fyerjeve që disa persona ia bënë trajnerit të Ballkanit, Ilir Daja. Prishtina e Ballkani u takuan të dielën mbrëma në “Fadil Vokrri”, ndërsa ndeshja përfundoi 1:1.
Me të përfunduar ndeshjen, Daja u ankua se tre persona që kanë qëndruar mbi bankinën e Ballkanit e kanë fyer gjatë tërë ndeshjes.
Të hënën përmes një komunikate për fyerjet ndaj Ilir Dajës reagoi Ballkani. Ndërkohë të martën është hapur procedurë disiplinore ndaj Prishtinës nga ana e Komisionit të Garave të FFK-së.
“Në minutat 2, 5, 17, 32 dhe 35 të ndeshjes, tifo grupi ‘Plisat’, i vendosur në tribunën jugore, hodhi mjete piroteknike prapa portës në anën jugore të stadiumit. Ndërkaq disa persona nga tribuna perëndimore, prapa bankinës së Ballkanit, pothuajse gjatë gjithë ndeshjes kishin fyer dhe ofenduar rëndë kryetrajnerin e ekipit mysafir Ilir Daja, duke e penguar në punën e tij”, thuhet në inicimin disiplinor ndaj Prishtinës.