Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj Prishtinës, Malishevës dhe Vëllaznimit.
Tri klubet mund të dënohen për lëshim në organizimin e ndeshjeve.
Në arsyetimin e Komisionit për Prishtinën thuhet se pas përfundimit të ndeshjes kundër Ballkanit, të luajtur në “Fadil Vokrri” në fundjavë, “një person i paautorizuar (i afërm me kryesinë e klubit) në gjendje të dehur hyn në lokalet zyrtare dhe shan, ofendon dhe kërcënon personat zyrtarë të mysafirëve për çka bëhet tollovi mirëpo me intervenimin e policisë evitohet më e keqja”.
Ndërkohë në arsyetimin për Malishevën thuhet se në minutat shtesë të ndeshjes ndaj Dukagjinit (1:1) “një person i paautorizuar hyn në shtegun e atletikës dhe gjuan mjete piroteknike për çka gjyqtari kryesor ndërpreu ndeshjen për 2-3 minuta, derisa u largua personi i paautorizuar”.
Edhe derbi i Ligës së Parë ndërmjet Vëllaznimit dhe Lirisë nuk ka përfunduar pa incidente.
Sipas inicimit, tifozët e skuadrës gjakovare kanë pasur “sjellje agresive ndaj skuadrës mysafire duke i ofenduar mysafirët në kor, ndërkaq në minutën e 50-të ndërpritet ndeshja për pesë minuta për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike të cilat hidheshin në drejtim të bankinës dhe lojtarëve mysafirë në fushë, nga të cilat fusha sintentike është dëmtuar në së paku pesë vende”.