Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Daja në procedurë disiplinore

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të martën ka hapur procedurë disiplinore ndaj trajnerit të Ballkanit, Ilir Daja.

Siç shkruan në arsyetimin e KG-së, pas përfundimit të ndeshjes Ballkani – Prishtina, Daja ka ofenduar, ironizuar gjyqtarin kryesor dhe organet e FFK-së. Daja ishte përjashtuar me të kuq nga gjyqtari pak minuta para fundit. 

Ndeshja në mes të Ballkanit dhe Prishtinës përfundoi pa gola të dielën, në kuadër të javës së 18-të të Superligës në futboll.

Trajneri Daja pati thënë se “FFK-ja nuk duhet të delegojë arbitra për t’i promovuar”. Po ashtu dha vërejtje që FFK-ja ka vendosur që Ballkani t’i luajë edhe dy ndeshjet e mbetura javën e kaluar.

Derbin në Suharekë e drejtoi Valon Bajgora. Ka pasur tensione në momente e po ashtu tollovi pas fundit të saj. Për lëshim në organizim të ndeshjes, KG-ja ka hapur procedurë edhe për kampionin në fuqi, Ballkanin. Po ashtu në procedurë është edhe videoanalisti i Ballkanit, Ardi Kabashi.