Skuadra e Sigal Prishtinës e ka fituar derbin e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në basketboll ndaj Pejës.
Në ndeshjen e luajtur të enjten në palestrën “Karagaçi”, Prishtina ka triumfuar me shifrat 93:86.
Për Prishtinën, kjo është fitorja e pestë këtë edicion që e ngrit në kuotën e 14 pikëve, dy më pak se skuadra e Pejës që regjistroi humbjen e dytë rresht.
Amerikani Wendell Mitchell me 24 pikë të shënuara e ka udhëhequr Prishtinën drejt këtij triumfi, ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe Biram Faye që shtoi 19 pikë e Lejson Zeqiri që pati 18 pikë e shtatë kërcime.
Te Peja, më efikasi ishte kapiteni Dardan Berisha që mungoi në dy ndeshjet e fundit. Berisha ndeshjen e mbylli me 27 pikë e shtatë asistime kurse Stephen Maxwell shtoi 26 pikë e tetë kërcime por që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen nga Prishtina.