Sport

Peja fiton dramën ndaj Sigal Prishtinës

Peja ka fituar derbin e xhiros së 23-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Derbi i vjetër me Sigal Prishtinën u vendos në çerekun e fundit, me vendasit që arritën të bënin dallimin fal efikasitetit të Dardan Berishës dhe Courtney Fellsit që shënonin nga secila pozitë.

Ndeshja ishte e barabartë deri në periudhën e fundit, kurse të dyja ekipet kishin epërsinë.

Por pejanët falë lojës së mirë në dhjetëminutëshin e fundit krijuan epërsi prej 10 pikëve, 84:74, kur kishte mbetur një minutë nga fundi i ndeshjes.

Deri në fund vendasit e menaxhuan mirë epërsinë e krijuar, për rezultatin final 89:78.

Lojtari më i dalluar te Peja ishte Fells me 25 pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime.

U ndihmua edhe nga Calvin Godfray që shtoi 18 pikë dhe 10 kërcime. Berisha realizoi 14 pikë gjithsej.

Te Prishtina u dallua Jan Palokaj me 17 pikë dhe pesë kërcime.