Sport

Peja fiton derbin ndaj Prishtinës

Skuadra e Pejës e ka fituar derbin e xhiros së dytë në Superligës e Kosovës në basketboll ndaj Sigal Prishtinës.

Ndeshja e luajtur të shtunën mbrëma në Prishtinë, ka përfunduar me shifrat 90:83 në të mirë të skuadrës pejane.

Për Pejën, kjo është fitorja e dytë në po aq ndeshje të luajtura këtë sezon që nisi javën e shkuar derisa Prishtina pësoi humbjen e parë.

Në fakt, Peja e siguroi fitoren vetëm në çerekun e fundit, pasi ishte në disavantazh në tre çerekët e parë përballë Prishtinës. Dhjetë minutëshën e fundit, Peja e fitoi me nëntë pikë epërsi (26:17), që mjaftuan për ta mposhtur Prishtinën.

Dardan Berisha ishte i pandalshëm te Peja në këtë takim. Berisha e përfundoi ndeshjen më 30 pikë, pesë kërcime e pesë asistime, ndërsa më lojë të mirë te Peja, u veçuan edhe Arian Qallaku (19) dhe Erdem Ilter e Henrik Shirko që shënuan nga 14 pikë secili.

Te Sigal Prishtina, amerikani Wendell Mitchell ishtë më i dalluari me 29 pikë të shënuara e nëntë kërcime, i përcjellë nga Lejson Zeqiri me 21 pikë e shtatë kërcime.