Prishtina dy ndeshjet e ardhshme si vendase nuk do t’i luajë në “Fadil Vokrri”. Skuadra prishtinase duhet t’i organizoje ndeshjet në një qytet tjetër, pas dënimit që mori të premten nga Komisioni Diciplinor i Superligës lidhur me incidentin që ndodhi para ndeshjes me Ballkanin.
“Prishtina dënohet me dy ndeshje zyrtare të radhës jashtë fushës së vet, jashtë qytetit të Prishtinës”, shkruan në vendim.
Prishtina është dënuar për organizim të dobët të ndeshjes me Ballkanin, që u zhvillua fundjavën e kaluar në “Fadil Vokrri”. Tifozët vendas i sulmuan tifozët e Ballkanit, ndërsa tre tifozë mbetën të lënduar. Për njërin nga Ballkani është thënë të jetë therur me thikë.
“Lëshim në organizim të ndeshjes. 15 minuta para fillimit të ndeshjes tifozët vendas ‘Plisat’ kalojnë rrethojat e tribunës jugore dhe përmes shtegut të atletikës, pa i penguar askush, vërsulen në anën veriore, në tribuna ku ishin tifozët mysafirë ‘Xhebrailat’, i sulmojnë fizikisht dhe si rezultat i kësaj përleshjeje tre simpatizues të ekipit mysafir marrin lëndime trupore, njëri nga të cilët dyshohet të jetë lënduar nga mjeti i mprehtë (thikë)”, shkruan nër raportin e Disiplinorit.
Tifozët e Prishtinës po ashtu kanë fyer tifozët dhe ekipin mysafir e po ashtu kanë hedhur mjete piroteknike dhe kanë dëmtuar fushën. Një tifoz ka kaluar nëpër fushë nga njëra tribunë në tjetrën.
Për dëmet që i kanë bërë në stadium tifozët nga Suhareka është dënuar Ballkani. Ballkani duhet të paguajë 1.000 euro. Ndërkohë Ballkani do të paguajë edhe dëmin e bërë në stadium.
Edhe
E turpshme, Kosova nuk ka stadium për ndeshjen evropiane të Ballkanit
Edhe Prishtina duhet të paguajë 1.200 euro, e po ashtu dëmin që në stadium e kanë bërë tifozët e saj.
Ndërkohë Vushtrria e Ligës së Parë tri ndeshjet e ardhshme si vendas do t’i luajë pa shikues në stadium. Tifozët vushtrrias kanë hedhur shishe dhe kënaçe në drejtim të lojtarit të ekipit mysafir, në kohën kur atij po i jepej ndihma mjekësore.