Klubi i futbollit Prishtina ka lëshuar një njoftim të hënën pasdite lidhur me ndeshjen ndaj Ballkanit të zhvilluar të dielën mbrëma në “Fadil Vokrri”.
Prishtina ka falënderuar tifozët “Plisat” dhe qytetin e Prishtinës, ndërsa ka “dënuar ata që shkaktuan përleshjen mes tifozërive”.
Para fillimit të ndeshjes erdhi te një përleshje mes shikuesve, ku kishte edhe të lënduar.
Ballkani fitoi 1:0 ndeshjen në kryeqytet.
“Organizimi dhe entuziazmi për ndeshjen ndaj Ballkanit ishte i madh nga tifozët tanë ‘Plisat’ dhe qytetarët e Prishtinës, të cilët edhe një herë e dëshmuan dashurinë e tyre për klubin më të madh në vend duke u tubuar masovikisht në stadium, ku biletat ishin shitur shumë orë para ndeshjes. Përkundër shiut të rrëmbyeshëm që nuk pushoi para, gjatë dhe pas ndeshjes, tifozët nuk u ndalën së përkrahuri ekipin e zemrës nga tribunat gjatë gjithë ndeshjes për çka klubi i falënderon duke shpresuar e besuar se rezultatet pozitive nuk do të mungojnë gjatë kampionatit”, thuhet nga Prishtina.
Edhe
Prishtina dënohet për incidentin para ndeshjes me Ballkanin
Klubi i kaltër një fjali ia ka kushtuar edhe incidentit para fillimit të ndeshjes.
“FC Prishtina i dënon fuqishëm ata që shkaktuan përleshje mes tifozërive para fillimit të ndeshjes duke u distancuar nga personat e pandërgjegjshëm e të cilët vetëm futbollit dhe klubeve tona nuk ia duan të mirën”.