Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Presidenti i Realit mohon se ka ndikuar në largimin e Messit

Perez

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez ka mohuar se ai ka pasur ndonjë ndikim në vendimin e Barcelonës për të lejuar Lionel Messin të largohet nga klubi. Messi ishte vendosur të qëndronte te Barça pasi kishte rënë dakord për 50 për qind ulje të pagës, por kjo nuk mjaftoi që ai të qëndronte në “Camp Nou”.

Pak ditë pas largimit nga Barcelona, Messi firmosi me Paris Saint-Germainin, ekip te i cili u prezantua të mërkurën. Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta fajësoi La Ligan për largimin e Messit. Sidoqoftë, Jaume Llopis, një ish-anëtar i bordit të projektit “Espai Barca” - i cili është projekti për rinovimin e stadiumit “Camp Nou” - dha dorëheqjen nga posti i tij pas largimit të Messit para se të akuzonte Laportan se ishte përkulur ndaj vullnetit të Perez.

“Largimi i Messit është një lëvizje që ndihmon Florentinon. Imagjinoni që Kylian Mbappe tani të nënshkruaj për Real Madridin”, tha ai për gazetën “La Vanguardia”. “Laporta u bind nga shefi i ri ekzekutiv, Ferran Reverter se ai nuk mund të nënshkruajë marrëveshjen ‘CVC’ që do të ishte investim në La Liga për të mbajtur paktin e Superligës Evropiane me Perezin. Është një rastësi që Reverter është një mik i vjetër i Perezit dhe se ata arritën të bindin Laportan të ndryshojë mendje dhe të ndalojë negociatat”.

Megjithatë, Perez, përmes një deklarate të lëshuar nga Reali, këmbënguli se ai është takuar vetëm me Reverterin dy herë më parë - një herë katër muaj më parë dhe një tjetër të shtunën e kaluar në një darkë ku ishte i pranishëm Laporta dhe kryetari i Juventusit, Andrea Agnelli. “Deklarata dhe vendimi në lidhje me Messin tashmë ishte marrë dhe lëshuar deri në atë kohë”, tha Perez.

“Kështu që, është e pamundur që unë të kem ndonjë ndikim në largimin e Messit, apo në të vërtetë ndonjë vendim tjetër që Barcelona ka marrë. Unë do të shpresoj që Llopis të korrigjojë deklaratat e tij të rreme sa më shpejt të jetë e mundur”.

Barcelona dhe Reali kanë refuzuar investimin e propozuar të La Ligas prej 2.7 miliardë eurosh, me madrilenët që kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime ligjore.