Futboll

Presidenti i Barçës i pakënaqur me vendimin e Fernandezit

Joan Laporta

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është i pakënaqur me vendimin që talenti Dro Fernandez mori për t’u transferuar te skuadra e Paris Saint-Germainit. 

18-vjeçari të hënën iu bashkua fituesit të Ligës së Kampionëve, duke firmosur kontratë katërvjeçare. 
Largimin e talentit Fernandez nuk e kanë pritur mirë te gjiganti katalunjas. 

“Ka qenë një situatë e pakëndshme. Ishte një surprizë pasi kishim rënë dakord për një zgjidhje tjetër kur ai të mbushte 18 vjet. Megjithatë, menaxheri i tij na njoftoi se nuk mund ta zbatonte atë për të cilën kishim rënë dakord”, u shpreh Laporta, shkruan të martën “BBC”. 

Fernandez është i lindur në Spanjë. Është zhvilluar si futbollist në akademinë e Barçës. 

Këtë edicion është përfshirë në skuadrën e parë, kurse zhvilloi tetë ndeshje dhe kontriboi edhe më një asistim. 

Në fillim të këtij muaji për Fernandezin foli edhe trajner i Barçës, Hansi Flick. 

“Ne u japim atyre mundësinë të stërviten me ne, të rriten çdo ditë, të jenë me lojtarët më të mirë në botë. Ne u japim mundësinë, u japim mbështetje. Nëse dëshiron të luash për Barcën, atëherë bëje 100 për qind me gjithë zemër”, kishte deklaruar gjermani Flick.