Trajneri i Kosovës U21 në futboll, Rafet Prekazi, dhe mesfushori Eris Abedini në konferencë për media kanë deklaruar se presin ndeshje të vështirë ndaj Anglisë të premten, porse do të japin më të mirën në fushë.
Kosova e pret Anglinë të premten në “Fadil Vokrri” nga ora 19:00, në kuadër të kualifikimeve për Evropian, transmeton KOHA.
E Prekazi ka thënë se në skuadër ka ndikuar edhe pandemia, shkaku i disa prej mungesave.
“Atë që e kemi planifikuar për këtë cikël kualifikues kemi qenë mirë. Ka ndikuar te ne kjo situatë sepse është gjendje e vështirë. Bartësit e ekipit na mungojnë shkaku i situatës me koronavirus. Jam munduar ta mbuloj boshllëkun e tyre po ashtu me lojtarë kualitativ. Ka lojtarë më shumë se çdo herë nga liga e Kosovës. Zgjidhje tjetër nuk kam pasur”, ka thënë ai.
Tutje ai ka folur edhe për Anglinë, për të cilën thotë se tani është edhe më e fortë se në ndeshjen e parë.
“Është e tepërt të flasim për Anglinë, si fuqi botërore. Kosova i ka lënë përshtypje dhe kanë ardhur më të fortë se që kemi luajtur në ndeshjen e parë. Si trajner, në situatën që jemi për hirë të vërtetës, nuk kam qenë frikacak, por duke e ditë situatën me mungesa nuk e di që nuk e kish pranuar ndonjë trajner i fuqishëm botëror një barazim ndaj Anglisë”, ka thënë Prekazi.
Kurse mesfushori Eris Abedini ka thënë se do të luajnë si ekip i komponuar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
“E di që do të jemi në karantinim por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi do të ketë që të luajmë me zemër dhe ta japim maksimumin. E kemi përgatitur ndeshje mirë. Do të luajmë si ekip në mbrojtje e sulm, për të marrë rezultat pozitiv”, ka thënë Abedini.