Sport

Prej Danimarkës U17 në elitën e futbollit anglez, udhëtimi i jashtëzakonshëm i Thomas Frankut

I panjohur në Mbretërinë e Bashkuar kur iu bashkua Brentfordit për herë të parë si ndihmës trajner në vitin 2016, Thomas Frank tani është afër t’i sigurojë klubit përfundimin më të lartë në ligë në 85 vjet. Megjithatë, përpara mbërritjes së tij në Londër, danezi kishte kaluar tashmë 20 vjet duke zhvilluar zanatin e tij - nga trajner i të rinjve në trajner të Premier Leagues. Udhëtimi i Frankut filloi me U8 të klubit të qytetit të tij Frederiksvaerk, përpara se të përparonte për t'u bërë trajner i Danimarkës U17, që e kualifikoi në Evropianin e vitit 2011. Gjatë atij turneu, Danimarka mundi mikpritësit Serbinë, Francën dhe Anglinë që kishte në ekip Jordan Pickfordin e Raheem Sterlingun.

“Ai gjithmonë kërkonte të përmirësohej dhe kishte një plan për çdo hap të rrugës”, tha sulmuesi Lee Rochester Sorensen, i cili ishte pjesë e asaj skuadre të Danimarkës U17. “Thomasi kishte gjithmonë një plan A, B dhe C, duke e bërë të qartë se çfarë duhej në katër fazat e lojës, nga portieri te sulmuesit – ai do të na tregonte se si të shtypim kundërshtarët tanë”.

Danimarka kishte duruar një kampanjë kualifikuese të vështirë, duke siguruar kualifikimin vetëm në ndeshjen e fundit, në të cilin e kishte mposhtur Greqinë. Rochester Sorensen u la në stol për ndeshjen hapëse kundër Serbisë - dhe komunikimi i mirë ishte qartësisht i rëndësishëm për Frankun.

“Si trajner ai ishte i vetëdijshëm për ata që ishin të zhgënjyer që nuk hynë në formacionin fillestar”, tha ai. "Ai do t'i thërriste në zyrën e tij dhe do t'ju shpjegonte vendimin, duke i falënderuar për punën”.

Para ndeshjes, Franku zhvilloi një stërvitje të lehtë për të testuar aftësitë mbrojtëse të lojtarëve të tij dhe u kushtoi vëmendje të veçantë detajeve më të vogla kur bëhej fjalë për sulmin dhe mbrojtjen. Kështu që, Danimarka arriti në gjysmëfinale të turneut, kur përfundimisht humbi nga Gjermanisë. Ata gjithashtu luajtën në Kupën e Botës U17 të atij viti në Meksikë, duke përfunduar një periudhë të suksesshme, por intensive, ku skuadra kaloi shumë kohë së bashku. Ishte sezoni kur Barcelona fitoi trofeun e katërt të Ligës së Kampionëve, me formacionin e famshëm që përbëhej nga Xavi, Iniesta dhe Messi.

"Ne do të shikonim shumë nga këto ndeshje së bashku”, tha Rochester Sorensen. “Thomasi do të çmendej nga emocioni nëse njëri nga ata lojtarë do të bënte diçka të veçantë”.

Frank vazhdoi me të rinjtë danezë deri në vitin 2013, kur atij iu ofrua një rol trajner i ekipit të parë te skuadra elitare daneze, Brondby. Klubi nuk e kishte ngritur titullin që nga viti 2005, duke e fituar atë gjashtë herë midis viteve 1988 dhe 1998.

"Ai bëri disa gabime në fillim”, kujton mesfushori Martion Ornskov. "Dhe ndonjëherë ai ishte pak i butë."

Këto ishin problemet e reja të një trajneri që po kalonte në futbollin e seniorëve, me Ornskovin që kujton se lojtarët që herë pas here kalonin kufirin me ndërhyrje në stërvitje. Me kalimin e kohës, Frank vendosi masa për të treguar se kush ishte shefi. Stërvitja mbyllej me ndeshje në porta të vogla. Nëse ndonjë nga ekipet humbiste me pesë gola, do të duhet të qëndronte për stërvitje shtesë. Ornskov kënaqej me qasjen bashkëpunuese të Frankut.

“Ka pasur raste kur ai diskutonte zgjidhjet me ne gjatë ndeshjeve”,thotë ai.

Megjithatë, kishte presion mbi Frank për të rikthyer ditët e lavdisë në klub. Ai shpesh fliste për procesin e ndryshimit të fatit të klubit, gjë që pa disa në shtyp talleshin me të. Për sa u përket atyre, Frank duhej të harronte çdo proces dhe të fillonte të fitonte. Titulli i Superligës mbeti i pakapshëm, me Brondbyn që përfundoi jo më lart se i treti gjatë tri sezoneve të Frankut në krye.

“E dija se ai do të pëlqehej si person dhe mund të evoluonte si trajner, por të punosh në Premier League pa pasur përvojë ose pa qenë një emër i madh është një sfidë e madhe. Por Thomasi ishte gjithmonë kaq kurioz për futbollin - ai jetoi për lojën”, kujton Ornskov.

Pasi iu bashkua Brentfordit si ndihmës trajner në dhjetor të vitit 2016, Frank zëvendësoi Dean Smithin si kryetrajneri ekipit në tetor 2018 - dhe ia siguroi klubit kthimin në Premier League përmes plejofit në vitin 2021. Tashmë me përvojë më të madhe dhe me skuadrën e tij që po synon kualifikimin në garat evropiane, tifozët e Brentford pa dyshim se ndihen krenarë me trajnerin e tyre 49-vjeçar. Megjithatë, ata duhet të jenë të shqetësuar për shkak se danezi tashmë ka tërhequr vëmendjen e Tottenhamit, ekip që është në kërkim të një trajneri për sezonin e ri. Pas 29-të xhirove të luajtura këtë sezon në Premier League, Brentfordi renditet i nëntë në tabelë me 43 pikë të mbledhura.

“Sigurisht, që do të ishte madhështore të luajmë sezonin tjetër në Evropë. Megjithatë, fokusi ynë është të vazhdojmë me paraqitje të mira deri në fund të edicionit dhe pastaj të shohim renditjen përfundimtare”, ka thënë Frank, kur është pyetur për mundësinë që Brentfordi të luajë në Evropë.