(KD) – Kanë kaluar 17 vjet prej se një skuadër e promovuar në Premier League ka nisur edicionin më mirë se Sunderlandi kampanjën aktuale. Skuadra, që për lider të pakontestueshëm në fushë e ka Granit Xhakën, të shtunën e mposhti kampionin e botës, Chelsean. Dhe pas nëntë xhiros, Sunderlandi i ka 17 pikë. Asnjëherë nuk ka ndodhur që një skuadër me kaq pikë pas nëntë xhirosh të largohet nga Premier League në fund të edicionit.
Qëndrimi në elitë është synimi i madh i Sunderlandit. Për këtë edhe e transferoi Xhakën nga Bayer Leverkuseni.
Por jo të gjithë ishin të bindur që Xhaka është ende i denjë për Premier League. Shumë nuk e kuptuan po ashtu largimin e tij nga nënkampioni i Gjermanisë për transferim te një skuadër e kthyer në Premier League pas një kohe të gjatë.
Megjithatë 33-vjeçari po kujdeset javë pas jave për të heshtur kritikët. Këtë e bëri edhe në fitoren 2:1 ndaj Chelseat në “Stamford Bridge” të shtunën.
Ai fitoi betejën me mesfushorët e shtrenjtë të Chelseat, Moises Caicedon e transferuar për 115 milionë funte dhe Enzo Fernandezin e transferuar për 110 milionë funte. Xhaka kishte më së shumti ndërhyrje të suksesshme në ndeshje – katër. I fitoi gjashtë prej shtatë dueleve dhe nuk e bëri asnjë faul.
Kapiteni i Zvicrës shquhet edhe për kilometrat e shumta që i vrapon gjatë ndeshjeve. Me aftësitë e liderit e mban ekipin të bashkuar dhe dëshmon në çdo ndeshje pse iu dha shiriti i kapitenit menjëherë pas transferimit.
“Xhaka e udhëheq rrugën”, ka shkruar BBC në një analizë për ecurinë e suksesshme të Sunderlandit. Sipas mediumit të fuqishëm, asnjë lojtar i transferuar nuk ka pasur më shumë ndikim se Graniti.
“Kishte pikëpyetje nëse 33-vjeçari mund të ishte ende i suksesshëm në Premier League, pasi ishte larguar nga Arsenali për në Gjermani në vitin 2023. Por ai u është përgjigjur kritikëve në mënyrë spektakolare. Është i pari për asistime, raste të krijuara, pasime të suksesshme, pasime në zonë, prekje të topit, duele të fituara dhe posedim të fituar të topit”, shkruan në analizën e BBC.
Mediume të shumta në Angli i kanë kushtuar shkrime Xhakës e Sunderlandit pas fitores ndaj Chelseat, por edhe para saj.
Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, ka lavdëruar Xhakën në konferencën për shtyp të mbajtur pas ndeshjes.
“Është vendimtar. Balanci është vërtetë pozitiv dhe Graniti është kapiten. Kështu që ai vendos standard çdo ditë. Është shumë e rëndësishme kur fillon karrierën që të kesh prej kujt të mësosh. Mund të jesh vërtetë i talentuar, i aftë, por nuk i di standardet për të pasur sukses në nivelin më të mirë. Kështu që ai jep shembull çdo ditë”, ka thënë Le Bris.
“Në fushë ai është futbollist shumë i mirë. Xhakës i pëlqen dhe kënaqet duke drejtuar sjelljen e skuadrës. Ai është si trajner i dytë në fushë dhe mendoj se është shumë i lidhur edhe me djemtë më të rinj”, ka shtuar tekniku i Sunderlandit.
“Sky Sports” ka paraqitur një të dhënë interesante për Xhakën. Që nga fillimi i edicionit 2022/2023, Xhaka ka qenë në ekipin fitues në 77 ndeshje kampionale. Vetëm Federico Valverde ka fituar më shumë ndeshje në pesë ligat e mëdha evropiane gjatë kësaj kohe, 82.
Me Xhakën në formë, fitore të tjera priten nga Sunderlandi. Dhe misioni për të mbetur në Premier League po duket lehtë i realizueshëm.