Sport

Potter arrin pikën kritike si trajner i Chelseat, shkarkimi i tij kërkohet me peticion

Me ecurinë pa fitore të ekipit të tij, që shtrihet në gjashtë ndeshje në të gjitha garat, trajneri i Chelseat, Graham Potter, po përballet me një pikë kritike në karrierën te londinezët. Potter, i cili ka vetëm pesë muaj në krye të Chelseat, deri më tani ka pasur besimin e pronarëve amerikanë, Todd Boehlyt dhe kompanisë “Clearlake Capital”.

Tifozët, megjithatë, kanë filluar të kthehen kundër tij dhe një peticion në internet që kërkon shkarkimin e Potterit ka marrë më shumë se 40.000 nënshkrime deri më tani. Humbja 2:0 nga rivali i Premier Leagues, Tottenhami, të dielën, ishte kulmi për disa tifozë. Me ndeshjet që vijnë, kundër Leedsit në kampionat dhe Borussia Dortmundit në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve, Potter ka nevojë urgjente për t’u kthyer te rezultatet pozitive.

Chelsea ka shpenzuar më shumë se 660 milionë dollarë për lojtarë qëkur Boehly dhe kompania “Clearlake” blenë klubin për 2.5 miliardë dollarë në muajin maj të vitit të kaluar. Një sondazh në Twitter, i cili mori më shumë se 110.000 vota, dha një rezultat që ishte i pritur. 80 për qind e votuesve kërkuan largimin e ish-trajnerit të Brightonit. Javën e kaluar Potter zbuloi se kishte marrë emaile anonime që i uronin vdekjen atij dhe familjes së tij. Nëpër ndeshje nuk ka pasur shfaqje të dukshme të mospajtimit nga tifozët. Kjo mund të ndryshojë nëse Chelsea eliminohet nga Championsi të martën e ardhshme, më pak se dy vjet pasi fitoi trofeun evropian nën urdhrat e trajnerit Thomas Tuchel. Gjermani Tuchel ishte jashtëzakonisht i popullarizuar në mesin e tifozëve, kurse u shndërrua në viktimë të hershme të udhëheqjes Boehly-Clearlake. Ai u shkarkua pas vetëm shtatë ndeshjeve të luajtura këtë edicion. Potter u zgjodh shpejt pasardhës nga pronarët e rinj dhe ka pasur një qëllim të qartë për t'i dhënë atij kohë për të integruar transferimet e reja. Janë 16 lojtarë që erdhën gjatë dy afateve të fundit kalimtare.

Por, pronarët e Chelseat nuk ka gjasa të kenë parashikuar një seri të tillë rezultatesh, veçanërisht pasi ofruan përforcime si mesfushori i Argjentinës, Enzo Fernandez dhe ukrainasi Mykhailo Mudryk. Ata erdhën në janar, në një përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e edicionit.

Fernandez u bë lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit britanik në një marrëveshje me vlerë 131 milionë dollarë. Mudryk kushtoi 108 milionë dollarë. Pavarësisht se ishte i pamposhtur në nëntë ndeshjet e para, gjërat kanë ndryshuar për Potterin me Chelsean, duke fituar vetëm një nga 11 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Klubi londinez është më afër zonës së rënies sesa vendeve kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Chelsea fitoi çdo trofe të madh me ish-pronarin Roman Abramovich, duke përfshirë dy herë Championsin dhe pesë tituj kampioni të Premier Leagues.

Një pjesë e këtij suksesi erdhi nga qasja e tij e pamëshirshme për shkarkimin e trajnerëve, me Jose Mourinhon që humbi dy herë punën pavarësisht se fitoi tre tituj në ligë gjatë atyre dy periudhave.

Carlo Ancelotti u shkarkua një vit pasi fitoi ligën dhe Kupën FA në sezonin e tij të parë në krye të Chelseat. Pronarët e rinj dukej se po ndiqnin të njëjtën rrugë kur e shkarkuan Tuchelin, i cili fitoi Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube në 20 muajt e tij në klub. Nuk ka pasur ndonjë gjykim të menjëhershëm në rastin e Potterit. Kjo ka të bëjë ndoshta me pozicionin e tij të vështirë në të cilin është vendosur gjatë një periudhe trazirash si brenda ashtu edhe jashtë fushës, me një pronësi të re dhe një skuadër shumë të ndryshuar.

Megjithatë, presioni do të rritet nëse forma e Chelseat nuk përmirësohet. Pas humbjes në shtëpi nga Southamptoni i vendit të fundit, këtë muaj, Leedsi do të jetë një tjetër kundërshtar i rrezikshëm për Chelsean, të shtunën. Më pas do të vijë ndeshja e Ligës së Kampionëve kundër Dortmundit, ku skuadra gjermane është në avantazh 1:0 pas duelit të parë. Potteri është penalizuar edhe nga lëndimet e lojtarëve kryesorë, duke përfshirë N'Golo Kanten, Raheem Sterlingun, Reece Jamesin dhe Wesley Fofanan. Dhe atij iu dha një goditje tjetër të martën kur skanimet shtesë konfirmuan se mbrojtësi Thiago Silva ka dëmtim të ligamentit të gjurit.